Apostolova: Vonesat në reformimin e arsimit paraqesin një krim për Kosovën

Aktuale July 04, 2018 - 14:14
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ka vlerësuar se reforma në sistemin e arsimit në Kosovë është tejet e rëndësishme që të ndodhë, raporton Zëri.info.

Vonesat në këtë drejtim sipas saj, paraqesin një krim për Republikën e Kosovës.

“Reforma në arsim nuk është vetëm një detyrim, çdo ditë që vonohet paraqet një krim për popullatën e Kosovës. Si zyre e BE-së e kemi identifikuar edukimin si një prej prioriteteve kryesore dhe mund të them se është prioriteti ynë kryesor, ka deklaruar ajo në një takim me komisionin parlamentar për arsim.

Ajo me këtë rast, ka thënë se BE do ta rrisë fondin për arsimin në Kosovë nga 12 deri në 15 milionë euro.

“Në njërën anë çështja e arsimit duhet ta ketë financimin e duhur dhe BE ka ndarë fonde për arsimin. Ne synojmë që ta rrisim këtë fond nga 12 deri në 15 milion, pra me fondet IPA 2015-2017. Kjo paraqet një pjesë të planit për Kosovën.

Deri tani janë investuar 34 milionë. Kur e kam dëgjuar këtë shumë e kam pyetur stafin se kah kanë shkuar këto para”, ka shtuar ajo.

Reformat në arsim sipas Apostolovës duhet të jenë afatgjata, raporton më tutje “Zëri.info”.

“Ne kemi bërë një analizë të thellë nga ana e GIZ-it dhe kjo na sjell në konkludimin se duhet të bëhen reforma rreth arsimit. Ky proces do të jetë afatgjatë dhe do të ketë një kosto. Duhet të fillohet me MASHT-in. Është me rëndësi që së pari të kemi ndryshimet në ministri. Dua t’ju njoftoj që dje kam pasur një takim të rëndësishëm me gjithë stafin e ministrisë. E kam kuptuar për herë të parë se sa e vështirë do të jetë reforma. Ka rezistencë të fortë sa i përket organorgramit të ri. Por dua t’ju siguroj se kjo reformë është shumë me rëndësi për ne dhe nuk do të heqim dorë. Hapi i parë është organogrami i ri, që paraqet atë se si duhet të organizohet ministria”, ka nënvizuar Apostolova.

Ajo tutje, ka thënë se detyrën në ministri duhet ta marrin persona me ekspertizë dhe me përgjegjshmëri të lartë. Një gjë e tillë siç ajo është shprehur, nuk nënkupton ndërhyrje në brendi të ministrisë./Zeri