Asociacioni s’do të jetë në dobi të Kosovës

Aktuale July 04, 2018 - 13:56
Lexo detajet

Qeveria e Kosovës është ende në pritje të përkthimit në gjuhën shqipe të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin tashmë e ka përgatitur ekipi menaxhues. Pasi që anëtarët e këtij ekipi janë pjesëtarë të komunitetit serb, edhe statuti i është dorëzuar në gjuhën serben ekzekutivit të vendit, shkruan "Zëri.info". 

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që nëse Asociacioni i Komunave Serbe nuk ka në përbërjen e vet statusin juridik si të Asociacionit të Komunave të Kosovës, atëherë nuk do të jetë në dobi të Kosovës.

“Nëse ky mekanizëm nuk do ta ketë statusin juridik si Asociacioni i Komunave të Kosovës, atëherë nuk do të jetë në dobi të shtetit të Kosovës. Nëse ky statut e ka vetëm një kompetencë, atëherë statuti i tij nuk do të jetë organizatë joqeveritare, por do të jetë me një statut juridik tjetër”, ka thënë ai.

Ndërsa duke folur për formimin e ekipit menaxherial të Kosovës ai ka thënë që nëse ky mekanizëm do të ketë kompetenca dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë, shkruan më tutje "Zëri.info". 

“Prej vitit 2013 shtetit të Kosovës i është premtuar edhe nga ish-kryeministrat dhe nga presidenti, nga të gjitha strukturat shtetërore, që ky mekanizëm nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, sepse ka pasur edhe protesta që ky Asociacion të mos ketë kompetenca të tilla. Nëse ky mekanizëm nuk do të jetë organizatë joqeveritare, atëherë duhet të merren hapa që dikush të marrë përgjegjësinë”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Rasim Alia ka thënë për “Zërin” që produkti final i AKS-së do të duhej të bazohet në Kushtetutën e vendit. 

“Produkti final, rrjedhimisht statuti i ASK-së, do të duhej të bazohej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që rrjedhimisht do të evitonte çdolloj ndërhyrjeje të një institucioni, siç është Asociacioni, në sistemin aktual të qeverisjes lokale dhe implikime të tjera që do ta preknin sistemin juridik e kushtetues të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej që në ekipin menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të ketë njerëz kompetentë, të dëshmuar, ekspertë të qeverisjes lokale dhe pjesëmarrje të shoqërisë civile. /Zëri

Image