'S’ka liberalizim, prandaj deputetët po pajisen me pasaporta dytësore'

Aktuale July 04, 2018 - 13:02
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Parlamentarët kosovarë po vazhdojnë të pajisen me pasaporta të Shqipërisë, ndonëse është çështje ditësh kur Komisioni Evropian pritet ta publikojë raportin për liberalizim të vizave. Vlerësohet se rreth 40 deputetë janë të liberalizuar. Kjo gjë po u mundësohet këtyre të fundit nëpërmjet Shqipërisë, përkatësisht përmes dekretit për dhënie të shtetësisë shqiptare nga presidenti Ilir Meta, shkruan "Zëri.info". 

Teksa e ka komentuar praktikën e pajisjes me pasaportë të Shqipërisë, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka vlerësuar se deputetët e Kosovës po e bëjnë një gjë të tillë për shkak se po e dinë që liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë edhe një kohë.

“Ata nuk po humbin kohë, po besojnë se kjo është e pamundur të ndodhë, andaj po shkojnë ta marrin nënshtetësinë në vendet e tjera. Do të thotë po përfitojnë, pasi po e dinë mirë që ne nuk i kemi plotësuar kushtet për liberalizim e as nuk jemi për së afërmi që t’i plotësojmë”, ka deklaruar ai në një prononcim për "Zërin".

Sipas Abazit, deputetët e kanë një të drejtë të tillë në aspektin ligjor, por jo edhe në aspektin moral.

“Është e lejueshme dhe e kanë atë të drejtë, por në aspektin moral dhe parimor natyrisht se nuk e kanë, pasi që ata janë njerëzit e parë që e kanë për detyrë ta mbajnë në llogaridhënie ekzekutivin”, ka potencuar ai. /Zëri