‘Nuk ka zgjidhje të çështjes shqiptaro-serbe pa zgjidhjen e çështjes së Luginës’

Aktuale July 04, 2018 - 11:33
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Lëvizja për Bashkim (LB) përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se përkrahë nismën “Lugina do zgjidhje” për shqiptarët në Luginë të Preshevës, transmeton ‘Zëri.info’.

Lëvizja për Bashkim thotë se nuk ka stabilizim të Kosovës e Serbisë me privilegje kushtetuese për pakicat e serbe ndërsa, injorim të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Njoftimi i plotë i LB-së:

Në përkrahje të nismës "Lugina do Zgjidhje": Nuk ka zgjidhje të çështjes shqiptaro-serbe pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës Lindore.

Nuk ka stabilizim të Kosovës e as Serbisë me privilegje kushtetuese për pakicën serbe, e me injorim të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Bazë e çfarëdo marrëveshjeje me Serbinë duhet të jetë reciprociteti në të drejta për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me ato të serbëve në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Dhe ky reciprocitet duhet të çojë në fund në ridefinimin e kufijve në mes të dy shteteve dhe popujve duke u bazuar në parimin e vetëvendosjes së popujve. Deri atëherë të gjithë duhet të punojmë që Kosovën Lindore ta kthejmë në kryetemë të ditës. Shqiptarët në atë pjesë kanë filluar të lëvizin përmes nismës qytetare Lugina do Zgjidhje. T'i përkrahim shqiptarët atje dhe këtë nismë, në mënyrë që ta forcojmë Kosovën. #luginadozgjidhje #evetmjashprese #levizjaperbashkim