Qeveria: Asociacioni s’e shkel Kushtetutën

Aktuale July 04, 2018 - 08:09
Lexo detajet

Qeveria e Kosovës është ende në pritje të përkthimit në gjuhën shqipe të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin tashmë e ka përgatitur ekipi menaxhues. Pasi që anëtarët e këtij ekipi janë pjesëtarë të komunitetit serb, edhe statuti i është dorëzuar në gjuhën serben ekzekutivit të vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri".                                                                                                

Këta të fundit insistojnë se statuti i Asociacionit do të jetë në përputhje me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, derisa përfaqësues të opozitës kanë frikë se ky Asociacion do të ketë kompetenca ekzekutive, njëjtë siç ishte nënshkruar vite më parë në Bruksel.   

LEXO EDHE: Këtë javë rikthehet prodhimi në “Ferronikel”                           

Në anën tjetër, Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të Marrëveshjes së Brukselit e jo sipas vendimit të Gjykatës Kushtuese të Kosovës.

Kontradiktat

“Materialet e ekipit menaxhues, i cili është ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, nuk janë përkthyer ende në gjuhën shqipe”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve për Informim të Qeverisë për gazetën “Zëri”. 

Sipas tyre, statuti i Komunave me Shumicë Serbe do të hartohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe në një asnjë formë tjetër.

“Qeveria e Kosovës e ka bërë publik qëndrimin e vet, të pandryshueshëm, se statuti i Komunave me Shumicë Serbe duhet të hartohet duke iu përmbajtur frymës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që ky statut obligativisht duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e Qeverisë.

Në anën tjetër, ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, si pjesë e procesit të hartimit të projekt-statutit të Asociacionit, janë takuar ditë më parë me kryetarët e komunave me shumicë serbe.                                                                                                         

Në takim është bërë fjalë për strukturën e ardhshme organizative të Asociacionit të Komunave Serbe, të cilat do të rregullohen në bazë të parimeve të përgjithshme të miratuara në Bruksel.     

Sipas këtij dokumenti, Asociacioni i Komunave Serbe do t’i ketë këto organe: kuvendin, kryetarin, këshillin, bordin, administratën dhe zyrën për ankesa, ka raportuar Televizioni publik i Kosovës (RTK).                                                                                                                                   

Aty është theksuar se është thelbësore që kompetencat e Asociacionit të Komunave Serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit.

Hoti: Asociacioni, i pakontrolluar nga Qeveria
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti ka thënë për “Zërin” që statuti i Asociacionit të Komunave Serbe do të duhej të ishte i kontrolluar nga Qeveria e Kosovës dhe jo të formohet njëanshëm nga pjesëtarë vetëm të komunitetit serb.       

“Sipas marrëveshjes, statuti i Asociacionit do të duhej të përpilohej në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal, OSBE-në dhe BE-në. Nuk do të duhej të “urdhërohej” ekipi menaxhues ta përpilojë një dokument aq të rëndësishëm, por ky proces do të duhej të kontrollohej dhe të koordinohej nga vetë Qeveria”, ka thënë Hoti.                                             

Sipas tij, në bazë të deklaratave të zyrtarëve të Listës Serbe ky dokument nuk pritet të jetë i dobishëm për Kosovën.

“Nuk dua ta paragjykoj brendinë e këtij raporti, por nga deklarimet e zyrtarëve të Listës Serbe mund të konkludojmë se nuk do të jetë dokument i dobishëm. Në deklarimet e tyre ata në vazhdimësi kanë insistuar se duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë ai.

Konjufca: “Zajednica” mund të ketë kompetenca ekzekutive

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, duke folur për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë për “Zërin” që ky statut mund të përmbajë kompetenca ekzekutive për serbët. Mirëpo, sipas tij, një proces i tillë do të duhej të ndalohej nga vetë Qeveria e Kosovës.

“Formimi i statutit të AKS-së po bëhet njëanshëm nga Lista Serbe dhe me instruksione të Beogradit, ku ata mbyllen në disa kabinete ku nuk i sheh askush dhe në fund e nxjerrin një dokument, ku thonë që ky është statuti i Asociacionit të Komunave Serbe. Me vetë faktin që ka këso lloj veprimesh procesin e “Zajednicës” Qeveria do të duhej ta bllokonte e ta paralizonte”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se “Asociacioni mund të ketë edhe kompetenca ekzekutive për serbët brenda Kosovës”.

Konjufca madje ka thënë që Kosova mund ta kishte shfrytëzuar procesin e Asociacionit duke ia kërkuar Serbisë njohjen në shkëmbim.

“Po të kishim një Qeveri normale në momentin e parë që e sheh një veprim të tillë që vjen nga Serbia si një kundëreaksion, atëherë e shpall këtë proces të bllokuar dhe e shfrytëzon që nëse duan t’ia japin dritën e gjelbër këtij procesi Lista Serbe duhet të tregojë që e njeh shtetin e Kosovës e që Serbia nuk do ta luftojë Kosovën. Vetëm në këto kushte ne mund të hapim të tilla tema lidhur me organizimin e serbëve brenda Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ibrahimi: Asociacioni s’do të jetë në dobi të Kosovës

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që nëse Asociacioni i Komunave Serbe nuk ka në përbërjen e vet statusin juridik si të Asociacionit të Komunave të Kosovës, atëherë nuk do të jetë në dobi të Kosovës.

“Nëse ky mekanizëm nuk do ta ketë statusin juridik si Asociacioni i Komunave të Kosovës, atëherë nuk do të jetë në dobi të shtetit të Kosovës. Nëse ky statut e ka vetëm një kompetencë, atëherë statuti i tij nuk do të jetë organizatë joqeveritare, por do të jetë me një statut juridik tjetër”, ka thënë ai.

Ndërsa duke folur për formimin e ekipit menaxherial të Kosovës ai ka thënë që nëse ky mekanizëm do të ketë kompetenca dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë. 

“Prej vitit 2013 shtetit të Kosovës i është premtuar edhe nga ish-kryeministrat dhe nga presidenti, nga të gjitha strukturat shtetërore, që ky mekanizëm nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, sepse ka pasur edhe protesta që ky Asociacion të mos ketë kompetenca të tilla. Nëse ky mekanizëm nuk do të jetë organizatë joqeveritare, atëherë duhet të merren hapa që dikush të marrë përgjegjësinë”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Rasim Alia ka thënë për “Zërin” që produkti final i AKS-së do të duhej të bazohet në Kushtetutën e vendit. 

“Produkti final, rrjedhimisht statuti i ASK-së, do të duhej të bazohej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që rrjedhimisht do të evitonte çdolloj ndërhyrjeje të një institucioni, siç është Asociacioni, në sistemin aktual të qeverisjes lokale dhe implikime të tjera që do ta preknin sistemin juridik e kushtetues të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej që në ekipin menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të ketë njerëz kompetentë, të dëshmuar, ekspertë të qeverisjes lokale dhe pjesëmarrje të shoqërisë civile.