Ballkani korridor i ri, Kosova me plan special për refugjatët

Aktuale July 03, 2018 - 20:47
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Një valë e re e refugjateve që vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut pritet të hyjnë edhe në Kosovë, pasi në vendet e rajonit tashmë kanë arritur.

Për ardhjen eventuale të refugjateve, institucionet kosovare kanë hartuar edhe plane se si do të kalohet kjo situatë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë për RTV Dukagjinin se sipas të dhënave aktuale Kosova nuk do të ketë flukse të mëdha të refugjatëve.

“Deri më tani sipas të dhënave Kosova nuk do të ketë përballje me flukse të refugjatëve. Ne, si MPB, i kemi bërë të gjitha përgatitjet për rastet eventuale”, ka deklaruar Zeka.

Sipas zëvendësministrit Zeka, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është më e përgatitur se vendet e rajonit për këtë përballje me emigrantët.

“Kemi kapacitete për t’u përballur, me refugjatët më mirë se shumë vende të Ballkanit Perëndimor”.

Profesori i sigurisë, Avni Islami nuk sheh ndonjë rrezik potencial nga refugjatët.

“Nuk mendoj se refugjatët rrezikojnë sigurinë nacionale të Kosovës, sepse këtu janë NATO dhe misionet e huaja, të cilat përkujdesen së bashku me institucionet e sigurisë që ka Kosova”, ka deklaruar Islami. 

Përderisa Kosova shprehet e hapur për refugjatët vendet e rajonit veç se kanë marrë masa që t’i ndalojnë. Mali i Zi ditë më parë ka filluar ndërtimin e një gardhi me tela me gjemba në kufirin me Shqipërinë.

Organizata botërore për migrim vlerëson se në 10 vitet e fundit mbi 20 mijë vetë kanë humbur jetën duke u përpjekur për të arritur në Europe.