Abdixhiku flet për hajninë institucionale

Aktuale July 03, 2018 - 14:10
Detajet

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka shkruar për disa nga gjërat më madhore të cilat e kanë kapluar vendin , transmeton “Zëri.info”.

Ai këtë gjë e ka bërë, pas bujës së madhe që ka bërë një zyrtare e Kosovës, për vjedhjen në Bruksel e ku në këtë postim ai ka renditur disa nga hajnitë më të mëdha që kanë ndodhur në institucionet e Kosovës.

Ja postimi i plotë i tij:

Meqë qenka temë hajnia, ajo e një zyrtareje në Bruksel, t’ua kujtoj për pak këtë tjetrën, të Kosovës, që po na ndodhë vetëm sivjet:

- 53 MILIONË tuajat po i jepen Bechtel Enkas, pa asnjë vlerësim, pa asnjë verifikim. Si tall pazari; fiks. Po e shesin madje si kursim.

- 11 MILIONË tuajat po i jepen serbëve në Veri, për tua pagaur rrymën veç për një vit. Tash e njëzet vjet s’paguhet rryma atje.

- 36 MILIONË tuajat po i jepen PTK-së, për t’ia mbuluar dëmet e kontratave kriminale, punësimeve militante, e llukseve menaxheriale. Për të gjitha këto, zero përgjegjësi.

- 10 MILIONË tuajat po i jepen Qeverisë. Duan dyfishim page për vete si shpërblim. Paga e re është dhjetëfish më e larta se mesatarja; si asnjë vend tjetër në botë.

- 3 MILIONË tuajat po i jepen zëvendësministrave, armatës më të madhe të badihavgjinjëve në Evropë. Janë bërë plot 80 sosh; pa punë, pa obligim, pa asnjë detyrim.

- 80 MILIONË tuajat po i jepen listave fiktive të veteranëve - të cilat vazhdojnë të rriten edhe këtë ditë. Gjashtëdhjetë milionët e ndara në fillim nuk po mjaftojnë; duhet shtuar edhe njëzet shtesë.

Dhe brengosemi për imazh mandej.

Çfarë imazhi japin gjithë këto? /ZËRI