Ambasadori i Kosovës merr pagë për 3 muaj pasi i përfundoi mandati

Aktuale July 03, 2018 - 12:34
Lexoni më shumë detaje

Një Ambasador i Kosovës edhe pse i kishte përfunduar mandati dhe ishte dekretuar për kthim kishte vazhduar ta merr pagën edhe për tre muaj të tjerë.

Në Raportin e Auditorit janë përmendur gjashtë raste të përfaqësuesve diplomatik të cilët kanë vazhduar t’i mbajnë pozitat e njëjta edhe pas skadimit të mandatit ligjor, ani pse për një gjë të tillë nuk kishte asnjë vendim.

“Në bazë të mostrave të testuara ne kemi vërejtur se në gjashtë raste, përfaqësuesit diplomatik kanë vazhduar ti mbajnë pozitat e njëjta pas skadimit të mandatit ligjor, edhe pse nuk kishte ndonjë vendim apo shkresë për vazhdimin e mandatit”, thuhet në raport

Auditori ka evidentuar tri raste kur përfaqësuesve diplomatik u kishte skaduar mandati dhe nuk u ishte bërë dekreti për kthim, ndërsa në dy raste të tjera dekretet për kthim ishin bërë po përfaqësuesit diplomatik nuk ishin kthyer.

Po ashtu në këtë raport është evidentuar se rasti i fundit që kishte të bëjë me një ambasadori ndaj të cilit ishte bërë dekreti për kthim dhe ishte marrë vendimi për tërheqje nga detyre, por ambasadori nuk ishte ri-sistemuar dhe kishte marrë pagën edhe për tre muaj.

“Prej këtyre në tri raste nuk ishin bërë dekretet për kthim, edhe pse përfaqësuesve u kishte skaduar mandati, dy raste ku ishin bërë dekretet për kthim por përfaqësuesit nuk ishin kthyer, dhe një rast kur ishte bërë edhe dekreti për kthim edhe vendimi për tërheqje nga detyra, por ambasadori nuk ishte ri-sistemuar pas kthimit dhe kishte marrë pagë sipas gradës së ambasadorit për një periudhë tre mujore”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Raporti më tej thekson se “këto kanë ndodhur si pasojë e mangësisë së legjislacionit sekondar apo procedurave adekuate të përfundimit të mandatit dhe risistemimit të përfaqësuesve diplomatik. Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2017, menaxhmenti i MPJ-së kishte reflektuar mbi situatën e krijuar duke marrë masa për ndërprerjen e ushtrimit të pozitave përtej afatit të përcaktuar ligjor. Këto masa pritet të aplikohen në tërësi gjatë vitit 2018”.

Mbajtja e pozitave përtej afateve të përcaktuara ligjore, në mungesë të vendimeve për vazhdimin e tyre, mund të ndikoj që shteti të përfaqësohet nga persona juridikisht të pa autorizuar. Kjo mund të ndikojë edhe në performancën e shërbimit diplomatik si dhe në reputacionin e shtetit./Insjaderi.com