Konjufca: Asociacioni po bëhet me instruksione të Serbisë

Aktuale July 03, 2018 - 08:02
Intervistë me shefin e Grupit Parlamentar të 'Vetëvendosjes', Glauk Konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se koncepti i unitetit për dialog me Serbinë dhe emri i presidentit Hashim Thaçi brenda tij janë koncepte kundërthënëse dhe përjashtuese. Ai ka folur edhe për statutin e Asociacionit, i cili sipas tij po bëhet me instruksione të Serbisë

Nuk mund të ketë koncept për unitet në bisedimet me Serbinë në krye me presidentin Hashim Thaçi, pasi janë koncepte kundërthënëse dhe përjashtuese.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Zëri” shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, duke shtuar se Hashim Thaçi është emër përçarës, i cili më shumë kujdeset për hallet e veta, sidomos në raport me Gjykatën Speciale, sesa për mbrojtjen e interesave të Kosovës.

LEXO EDHE: Iniciativa për ekip të unitetit, drejt dështimit

Konjufca madje ka thënë se i pari i shtetit të Kosovës i ka bërë favore të mëdha Serbisë me deklaratat e tij të fundit.

“Nuk mund të kishte favor më të madh për Serbinë sesa të dilte Thaçi e të thoshte se nuk ka vija të kuqe”, ka pohuar Konjufca.

Gjatë kësaj interviste për Zërin Konjufca ka folur edhe për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili, sipas tij, po bëhet në mënyrë të njëanshme dhe me instruksione të Serbisë.

Asociacioni po formohet njëanshëm

Zëri: Çka do të përmbajë raporti i punës së ekipit menaxhues, i cili është i ngarkuar për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe cili është qëndrimi i Vetëvendosjes kundrejt këtij procesi?

Konjufca:
Procesi i formimit të Asociacionit të Komunave Serbe është plotësisht i komprometuar, sepse filloi si kundërreaksion ndaj arrestimit të Marko Gjuriqit. Në atë kohë Lista Serbe u rebelua dhe e ndryshoi vendin ku ulej në Kuvend dhe doli kinse nga ana e opozitës, ndonëse ende nuk i ka tërhequr ministrat e vet nga Qeveria. Si një reaksion ndaj kësaj ishte edhe një proces paralel ku ata vetë do ta përpilonin dhe do ta shkruanin statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Pra, mjafton kaq që Kosova të shpallë atë proces të pamjaftueshëm e të komprometuar, sepse kjo po bëhet njëanshëm nga Lista Serbe dhe me instruksione të Beogradit, ku ata mbyllen në disa kabinete e nuk i sheh askush dhe në fund e nxjerrin një dokument dhe thonë se ky është statuti i Asociacionit të Komunave Serbe.

Zëri: A do të ketë Asociacioni kompetenca ekzekutive?

Konjufca:
Me vetë faktin që ka këso veprimesh, procesin e “Zajednicës”, Qeveria do të duhej ta bllokonte e ta paralizonte, do të duhej të thoshte që kurrfarë bisedimesh në këtë drejtim nuk mund të kemi me një Serbi, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe që e lufton Kosovën në çdo cep të saj, e cila ende i ka brenda strukturat shtetërore dhe i financon e i mirëmban ato, i kontrollon dhe në këtë mënyrë aq më tepër kur ata në mënyrë të njëanshme mblidhen diku dhe kinse për shkak të hidhërimit e bëjnë statutin e “Zajednicës” ashtu siç duan ata, me siguri me kompetenca ekzekutive e të gjitha ato që u vijnë si instruksione nga Serbia.

Një qeveri normale po të kishte qenë, e që fatkeqësisht nuk e kemi të tillë, në momentin e parë që e sheh një veprim të tillë i cili vjen nga Serbia si një kundërreaksion, atëherë e shpall këtë proces të bllokuar e të paralizuar dhe e shfrytëzon që nëse dëshiron t’ia japin “dritën e gjelbër” këtij procesi, atëherë Lista Serbe duhet të tregojë që e njeh shtetin e Kosovës dhe Serbia nuk do ta luftojë Kosovën. E vetëm në këto kushte ne mund të hapim të tilla tema lidhur me organizimin e serbëve brenda Kosovës. Mirëpo kur Serbia është armiqësore dhe ka pretendime territoriale, më e mira do të kishte qenë që Qeveria të mos pranonte kurrfarë procesi të tillë, siç po ndodh tani.

“Zajednica”, rreziku më i madh i Kosovës

Zëri: Pra vazhdoni ta shihni si rrezik formimin e Asociacionit?

Konjufca:
Po, ky rrezik është permanent për sa kohë kemi politikanë të papërgjegjshëm dhe për sa kohë një president që thotë se nuk kemi vija të kuqe me Serbinë. Pra, në këtë konsilacion të qëndrimeve Kosova nuk ka qenë asnjëherë më në rrezik sesa tash afër arritjes së një kompromisi të madh, i cili do të bëhet në kurriz të shtetit të Kosovës. Kështu që më mirë të organizohemi edhe si opozitë, edhe si subjekte parlamentare që t’ia ndalojmë presidentit këtë drejtim të cilin e ka marrë pa e pyetur askënd, ta krijojmë një platformë të vijave të kuqe kundër Serbisë.

Zëri: Keni thënë që nuk do ta përkrahni ekipin e unitetit për dialogun, për të cilin presidenti Thaçi i ka ftuar të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Pse sipas jush kjo thirrje po ndodh tani dhe jo para se të fillonte kjo fazë e dialogut?

Konjufca:
Unë mendoj që koncepti unitet dhe emri i presidentit Hashim Thaçi nuk mund të shkojnë bashkë, pra vetvetiu këto dyja janë koncepte kundërthënëse, sepse Thaçi është emër përçarës, i cili më shumë po kujdeset për hallet e veta, sidomos në raport me Gjykatën Speciale, sesa për mbrojtjen e interesave të Kosovës. Nuk mund të kishte favor më të madh për Serbinë sesa të dilte Thaçi dhe të thoshte se nuk ka vija të kuqe me Serbinë. Si mund të mos kesh vija të kuqe me një shtet i cili na ka okupuar, ka bërë gjenocid në Kosovë dhe ende ka pretendime territoriale për Kosovën, dëshiron ta copëtojë Kosovën, dëshiron të krijojë një autonomi territoriale brenda Kosovës, e kur Serbia i ka këto qëllime të thuash se nuk kemi vija të kuqe me Serbinë është shumë dramatike dhe asnjë qytetar më pas asaj deklarate nuk mund të flejë i qetë kur në krye të vendit e kemi një president i cili bën këso gjërash. Mendoj që koncepti unitet dhe Hashim Thaçi brenda tij janë koncepte kategorikisht përjashtuese.