Iniciativa për ekip të unitetit, drejt dështimit

Aktuale July 03, 2018 - 07:48
Mësoni më shumë shumë detaje

Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se në fillim të kësaj jave do t’i takojë krerët e partive politike për ta formuar ekipin negociator për dialogun me Serbinë. Por, kjo iniciativë po shkon drejt dështimit pasi vetëm PDK-ja dhe AAK-ja shprehen të gatshme për t’u bërë pjesë e ekipit të Thaçit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deri më tani vetëm Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur të gatshme për të marrë pjesë në takimin e liderëve partiakë me presidentin Hashim Thaçi për formimin e ekipit negociator të Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë.

Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar kundër takimit me presidentin Hashim Thaçi.

Ndërsa edhe Nisma Socialdemokrate e konsideron Thaçin të papranueshëm për kryenegocitaor, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate ende nuk kanë dhënë qëndrim të prerë nëse do të shkojnë në takim ose jo.

Ndërkaq monitorues të procesit të dialogut nga shoqëria civile konsiderojnë se partitë politike duhet t’i përgjigjen pozitivisht kësaj thirrjeje, ndonëse thonë se do të jetë i vështirë konsensusi për shkak të dallimeve të thella në qëndrime mes partive politike.

Gazeta Zëri ka provuar të marrë konfirmim nga Presidenca nëse u janë dërguar ftesat partive politike dhe se a kanë marrë konfirmim për pjesëmarrje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

PDK-ja e AAK-ja pro takimit me Thaçin, Nisma e pavendosur  

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka treguar për gazetën “Zëri” se PDK-ja do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga presidenti Thaçi, në mënyrë që të arrihet konsensus për çështjen e dialogut me Serbinë. 

“Ne kemi marrë pjesë në çdo takim që ka pasur për qëllim arritjen e konsensusit për çështjet e rëndësisë nacionale dhe besoj se do të marrim pjesë edhe në takime të tjera që e kanë atë qëllim”, ka thënë Krasniqi.

Edhe AAK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Thaçi. Kjo është konfirmuar nga deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj.

“AAK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidenti i vendit dhe qëllimi është që të arrihet një konsensus për dialogun”, tha ajo.

Kadrijaj ka thënë se konsensusi duhet të arrihet patjetër, pasi kjo është edhe kërkesë e përkrahësve tanë ndërkombëtarë.

“Nuk i kuptoj partitë politike për qëndrimet rreth kësaj. Ne sot kishim edhe një takim me ambasadorë të shteteve të QUINT-it dhe ata po kërkojnë konsensus që të përcaktohet një draft agjendë e Kosovës, ku të jetë nga një përfaqësues i secilit subjekt politik. Sa më parë që të arrihet konsensusi, aq më mirë është për proceset e Kosovës”, tha Kadrijaj.

Ajo ka treguar se dje Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme pati një takim me shoqërinë civile, ku u prezantua edhe një draft-koncept se si duhet të duket dialogu.

Ndërkaq deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë se Nisma ende nuk ka një qëndrim rreth pjesëmarrjes në këtë takim, megjithatë ai ka thënë se unifikimit nuk duhet t’i ikën as Nisma e as partitë e tjera pavarësisht se kush e thërret takimin.

“Qëndrimin e Nismës nuk e kemi ende, por sido që të jetë takimet duhet të ndodhin, duhet të kemi një unifikim të faktorit ndërkombëtar sa i përket çështjes së bisedimeve me Serbinë. Ne unifikimit nuk guxojmë t’i ikim, as Nisma e as partitë e tjera pavarësisht se kush e thërret duhet të kontaktojnë dhe të formohet ekipi i unitetit, që të përfundojë ky proces i bisedimeve”, ka thënë Shala.

Por pavarësisht këtij qëndrimi të deputetit Shala, deputetet e tjerë të kësaj partie nuk kanë dashur të komentojnë fare për çështjet që kanë të bëjnë me presidentin.

Konjufca: LVV-ja s’i shkon Thaçit në takim

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë ditës së djeshme në një konferencë për medie ka thënë se presidenti Thaçi po insiston që partitë e tjera t’ia legjitimojnë planet e tij, që janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Deri tani çfarë kemi parë të gjitha iniciativat e presidentit kanë qenë “a po vini me mua”, që ai të jetë udhëheqësi dhe sipas planeve të tij që ne t’i shkojmë atje dhe ta legjitimojmë procesin që ka nisur ai”, tha Konjufca.

Konjufca bëri të ditur se Vetëvendosja nuk do t’i bashkëngjitet tryezës së Thaçit, pasi siç tha ai procesi i dialogut duhet t’i kthehet Parlamentit.

“Ne nuk mund t’i shkojmë Thaçit thjesht sipas idesë së tij, që nëse ju nuk doni të bashkëngjitni unë do t’i bëj marrëveshjet vetë. Nëse doni të bashkëngjitni ejani me mua, unë do ta udhëheqë dialogun kjo nuk është zgjidhje për Vetëvendosjen. Ne jemi në pozicionin e qartë që presidenti Thaçi është njeri jokredibil për të qenë në krye të negociatave me Serbinë. Ne duam që dialogun t’ia kthejmë Parlamentit dhe që të ketë një platformë të vijave të kuqe”, ka thënë ai.  

Ndërkaq nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë marrë një vendim nëse do të marrin pjesë në këtë takim ose jo.

Ai ka treguar që LDK-ja ende nuk ka marrë ftesë nga presidenti për këtë takim.

E pavendosur për pjesëmarrje në tryezën e thirrur nga presidenti Thaçi është edhe Partia Socialdemokrate, që për “Zërin” kanë thënë se ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë ose jo. 

Haxholli: Vështirë të arrihet konsensusi për dialog

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e konsideron pozitive ftesën e presidentit për një takim të përbashkët dhe se sipas saj të gjitha partitë duhet t’i thonë “Po” kësaj ftese.

“E shoh shumë pozitive një iniciativë për një tryezë të subjekteve politike, meqenëse në Kuvend nuk po organizojnë një seancë, së paku të ulen në një tavolinë dhe të diskutojnë për këtë fazë. Partitë politike duhet t’i përgjigjen kësaj ftese dhe të bisedojnë e të mundohen të arrijnë një qëndrim nacional për dialogun dhe për qasjen e Kosovën në këtë fazë”, tha ajo.

Mirëpo ajo është treguar skeptike që mund të arrihet konsensusi shpejt për shkak të dallimeve të thella mes partive rreth kësaj çështjeje. 

“Ndonëse është mirë të arrihet konsensusi, kjo gjë është e vështirë, sepse dallimet mes subjekteve politike janë të thella. Nëse presim që të ketë konsensus në një moment, ajo nuk do të ndodhë shumë shpejt, pasi duhet diskutime më të gjera dhe të mbahen disa takime”, tha më tutje ajo. 

Ndërkohë, Haxholli ka thënë se me shumë gjasë presidenti Thaçi do të shkojë sërish vetë në Bruksel, por ka kritikuar për jotransparencën e këtyre takimeve, pasi tha se nuk po bëhet e ditur se për çfarë po bisedohet atje.