Donald Trump nderon Lutfi Hazirin

Aktuale July 02, 2018 - 21:54
Detajet

Komuna e Gjilanit përmes një komunikate për media ka njoftuar se kryetari Lutfi Haziri është nderuar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump për angazhimin e jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.

“Në emër të Shtëpisë së Bardhë, të nënshkruar nga presidenti Trump, çmimin ia ka dhuruar sot kryetarit Haziri, ambasadori, Dr. Otto F. Von Feigenblatt”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Komuna e Gjilanit.

“Një çmim i tillë që më jepet nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Trump, është një mirënjohje që i jepet qytetarëve të Gjilanit për krejt atë viktimizim, sakrificë dhe dhembje që e kemi kaluar”, citohet i pari i Komunës, Lutfi Haziri në njoftimin e Komunës.

Haziri ka falënderuar presidentin Trump për këtë çmim.

“Është shërbim për komunitetet që Gjilani i ka bërë për 19 vite të pasluftës, duke i ruajtur pakicat, duke e ruajtur kishën “Shën Nikolla” që të mos digjet, duke i ruajtur xhamitë dhe teqet dhe duke i rindërtuar ato, duke i ruajtur pakicat politike dhe duke i integruar ato në jetën tonë. Ne jemi bashkë dhe kjo jetë që na është dhënë nga Zoti nuk e ka të drejtën askush ta cenoj. Këtë çmim ia dedikoj familjes time, prindërve të mi dhe familjes politike që është Gjilani”, tha tutje Haziri, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjilanit.