Partitë, të rezervuara ndaj iniciativës së Thaçit

Aktuale July 02, 2018 - 12:57
Lexoni më shumë detaje

Gjatë kësaj jave presidenti Hashim Thaçi synon t’i bëjë bashkë kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli, si dhe liderët e partive të tjera politike për ta formuar ekipin negociator për dialogun me Serbinë. Megjithatë, partitë politike vazhdojnë ta konsiderojnë Thaçin të papranueshëm si negociator, shkruan "Zëri".

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë për “Zërin” se nuk e di ende se si do të veprohet pas tërheqjes së platformës së Qeverisë.

Veliu ka thënë se LDK-ja ende nuk ka marrë ftesë nga presidenti Thaçi për një takim rreth formimit të ekipit negociator.

“Ata kanë përgatitur një platformë, të cilën e kanë dërguar në Kuvend për ta diskutuar, por e kanë tërhequr. Nuk e di si do të veprojnë më tutje. Ne nuk kemi marrë ende kurrfarë ftese. Kur të na vijë ftesa LDK-ja do ta diskutojë në forumet e veta dhe pastaj vendosim si do të veprojmë”, ka deklaruar Veliu.

Më tej nënkryetari i LDK-së ka thënë se kjo parti e ka iniciuar mbajtjen e tryezave të partive politike në mënyrë që të gjenden zgjidhje për çështje të interesit nacional, por, sipas tij, mungon vullneti i koalicionit qeverisës dhe i partive të tjera për një gjë të tillë.

“Ne e kemi ofruar njëfarë tryeze për ta nxjerrë vendin nga kriza, por siç po shihet nuk ka vullnet as nga koalicioni dhe as nga disa parti të tjera politike. Është një situatë e padefinuar”, ka shtuar Veliu.

Në fund, ai ka thënë se nëse vazhdohet dialogu pa arritjen e konsensusit do t’i kushtojë Kosovës.

Të palëkundura në qëndrimin kundër Thaçit kryenegociator vazhdojnë të jenë Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate. Madje zyrtarët e kësaj të fundit thonë se për këtë çështje nuk duan të flasin më.

Edhe deputetët e Partisë Socialdemokrate shprehen kundër Thaçit kryenegociator.

Deputeti i PSD-së Sali Salihu ka thënë se Thaçi nuk është figurë unifikuese dhe se nuk mund t’i besohet ky proces.

Salihu ka thënë se sot Grupi Parlamentar i PSD-së do të mblidhet dhe do të diskutojë edhe për dialogun me Serbinë.

“Jam skeptik se do të arrihet konsensusi. Të hënën Grupi Parlamentar i PSD-së kemi takim dhe sigurisht se edhe kjo është njëra nga temat të cilat do t’i diskutojmë dhe pastaj dalim me qëndrim se si do të veprojmë më tutje”, është shprehur ai për “Zërin”.

Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë se partitë duhet të jenë pjesë e dialogut.

“Mendoj se partitë politike duhet të jenë pjesë e dialogut. Kosova duhet ta ketë fillimisht një platformë të bisedimeve dhe një vendim që gjithçka që bisedohet e arrihet të vendoset në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Do duhej të gjitha partitë politike të reflektojnë, sepse ky është një proces që nuk u takon vetëm partive në pushtet, por të gjithëve. Dua të besoj që të gjitha partitë do të bëhen pjesë e dialogut me Serbinë”, ka deklaruar Selmanaj. /ZËRI/