Sejdiu: Çfarëdo marrëveshje që shkel vijat e kuqe është e papranueshme

Aktuale June 30, 2018 - 09:27
Ja çfarë thotë ai tutje

Deputeti i pavarur nga radhët e opozitës, Korab Sejdiu, e ka cilësuar si fatkeqësi deklarimin e fundit të presidentit të Kosovës, i cili tha se nuk duhet të ketë vija të kuqe në dialogun me Serbinë. Sipas tij, një marrëveshje e arritur nga kreu i shtetit, veçmas nëse nuk do të ketë vija të kuqe do të jetë krejtësisht e papranueshme, shkruan "Gazeta Zëri".

“Duhet ta ketë të qartë edhe ai, edhe BE-ja, që presidenti nuk përfaqëson Kosovën në këto bisedime dhe çfarëdo marrëveshje që edhe mund t’i shkelë vijat e kuqe që i ka Kosova nuk është e vlefshme, pasi është bërë nga një person i paautorizuar dhe pa mandat”, ka nënvizuar ai.

Sipas Sejdiut, deklarimet e tilla të kreut të shtetit e dëmtojnë mjaft shumë palën kosovare në procesin e negocimit. “Kjo mënyrë e negocimit nuk është e duhur pasi deklarimet e tilla vetëm sa e dëmtojnë fuqinë negociuese të palës kosovare. Presidenti nuk është mirë që të bëjë deklarime të tilla skandaloze që përveçse e dobësojnë fuqinë negociuese të Kosovës, çojnë mesazhe shumë të këqija te partnerët ndërkombëtarë lidhur me atë se çka dëshiron Kosova nga bisedimet”, ka shtuar ai për “Zërin”.