Vendimi për vizat këtë vit, liberalizimi në korrik 2019?

Aktuale June 29, 2018 - 07:40
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ekspertët e integrimit evropian vlerësojnë se këtë vit mund të merret vendimi për heqjen e vizave për kosovarët me Bashkimin Evropian, mirëpo gjasat e mëdha janë që implementimi të shtyhet prej 1 korrikut 2019, përkatësisht pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të planifikuara për në maj 2019, shkruan sot Gazeta "Zëri.info". 

Ndonëse para tetë vjetësh (2010) krerët e institucioneve të Kosovës nisën zotimet për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë ende nuk është realizuar.

Përkundrazi, Kosova aktualisht është në pritje të publikimit të rekomandimit të Komisionit Evropian (KE), i cili do të tregojë nëse është përmbushur kriteri i luftës ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë ditës së djeshme është shprehur optimiste se liberalizimi i vizave do të finalizohet përgjatë këtij viti, shkruan më tutje "Zëri". 

Sipas saj, rekomandimi do të jetë pozitiv dhe do të publikohet më së largu në javën e parë të muajit të ardhshëm (korrikut).

Porse ekspertët e procesit të integrimit konsiderojnë se gjasat janë shumë të vogla që liberalizimi të ndodhë përgjatë këtij viti.

Madje siç thonë ata, po qe se rekomandimi i KE-së vonohet të publikohet edhe më tej Kosova rrezikon të mos e marrë liberalizimin as në gjysmën e parë të vitit tjetër.

Njohësit e integrimit vlerësojnë se këtë vit mund të merret vendimi për heqjen e vizave për kosovarët me Bashkimin Evropian, mirëpo, sipas tyre, gjasat e mëdha janë që implementimi të shtyhet prej 1 korrikut 2019, përkatësisht pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të planifikuara për maj 2019.

Hoxha: Rekomandimi pozitiv, vizat sivjet

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur e bindur se rekomandimi i Komisionit Evropian, i cili do të publikohet së shpejti, do të jetë pozitiv.

Ky rekomandim i cili do të tregojë përfundimisht nëse Kosova e ka përmbushur ose jo kriterin e fundit për viza, siç ka thënë ajo do të publikohet në fillim të këtij muaji ose në fillim të muajit që vjen.

“Rekomandimi pritet të dalë qoftë në ditët e fundit të qershorit ose në fillim të korrikut, për shkak të punimeve të këtij samiti që ka filluar sot në Bruksel. Presim të dalë pozitiv,  është çështje ditësh dhe do të jetë para pushimeve të verës. Ky është vetëm hapi i parë i procesit të vendimmarrjes”, ka deklaruar ajo gjatë një konference për medie të mbajtur të enjten.

Pas publikimit të rekomandimit, siç ka njoftuar Hoxha, ai do të miratohet në Komitetin për të Drejtat Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian (LIBE) më së largu deri më 11 korrik.

“Komisioni LIBE ka disa afate ku do të takohet, është një afat më 11 korrik, ku ne po synojmë dhe jemi duke lobuar që këto data të përputhen, që vendimi në LIBE të merret para pushimeve të verës. LIBE ka takim më 11 korrik dhe aty presim të miratohet”, ka theksuar ajo.

E para e MIE-së më tej është shprehur optimiste se procesi i liberalizimit do të finalizohet deri në fund të këtij viti. 

Lushaku: Zgjedhjet për PE-në e vështirësojnë vendimmarrjen për vizat

Në anën tjetër Jehona Lushaku, njohëse e procesit të integrimit, ka vlerësuar se ka gjasa që liberalizimi të ndodhë këtë vit nëse ka vullnet politik prej shteteve që janë anëtare të BE-së.

Por sipas saj, për shkak të disa problemeve që ekzistojnë brenda BE-së, implementimi i vendimit mund të shtyhet për vitin tjetër, edhe nëse vendimi merret këtë vit.

“Në anën tjetër BE-ja ka edhe disa probleme me migracionin, me politikat e saj ndaj migracionit, ndaj menaxhimit të zgjedhjeve për vitin e ardhshëm. Kosova është një vend me potencial migrimi, mandej politikanët brenda shteteve të BE-së kalkulojnë që kjo mund t’u kushtojë politikisht. Nën këtë kalkulim politik gjasat janë që procesi dhe vendimi të merret këtë vit, e implementimi të shtyhet mandej pas zgjedhjeve, më 2019”, ka deklaruar ajo.

Në tërë këtë proces, sipas Lushakut, rol të madh luan edhe fakti se sa lobojnë politikanët kosovarë dhe sa i garantojnë ata shtetet e BE-së se nuk do të ketë valë migracioni në BE.

Ndërkohë ka vlerësuar se liberalizimi ka mundur të ishte përfunduar tashmë, porse politika kosovare e ka shfrytëzuar jo mirë kohën. Sipas saj, tre vjet nuk është diskutuar fare për liberalizim, pasi që tre vjet i ka marrë vetëm Demarkacioni.

Ujkani: Nëse vonohet rekomandimi mund të mos ketë liberalizim as më 2019-n

Duke folur rreth rekomandimit të Komisionit Evropian për vizat, profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani, ka thënë se mospublikimi i tij në qershor (siç ishte paraparë) e zbeh optimizmin se liberalizimi mund të përmbyllet shpejt.

“Pritshmëritë kanë qenë të tilla te një pjesë e mirë e opinionit se rekomandimi do të ndodhë në fund të këtij muaji. Mirëpo, kur unë e kam parë që nuk po ndodh deri në fazën kur nuk ndodhi, nuk kam qenë edhe optimist. Optimizmi ka shkuar duke rënë dhe mendoj që tash jemi në një fazë ku ende flasim për rekomandim dhe nuk flasim për vendimmarrje”, ka deklaruar ai për “Zërin”.  

Sipas tij, vonesat në publikimin e rekomandimit mund të ndikojnë edhe te përmbyllja e këtij procesi.

“Komisioni Evropian mund ta bëjë këtë në çdo kohë. Mund ta ketë bërë këtë javë, mund ta bëjë në fillim të muajit korrik. Varësisht nga koha dhe sa do të vonohet dhënia e rekomandimit, do ta ketë ndikimin e vet në procesin e vendimmarrjes sepse një vendimmarrje në BE është goxha e ngarkuar dhe minimumi janë 5-6 muaj që Këshilli dhe Parlamenti duhet t’i kenë në dispozicion për ta marrë një qëndrim”, ka shtuar ai.

Nëse rekomandimi vonohet edhe më tej (pas fillimit të korrikut), sipas tij, liberalizimi mund të mos ndodhë pastaj as në vitin tjetër, pasi do të mbahen zgjedhjet për PE-në. 

“Jo vetëm që të mos ndodhë këtë vit, por tani do të jetë e vështirë të ndodhë edhe vitin që vjen. Megjithatë, ende jemi mirë me kohën, në qoftë se Komisioni Evropian do të mundë që deri në fillim të korrikut të vijë me një rekomandim të tillë”, ka pohuar Ujkani.

Hoti: Do të marrim përgjigje pozitive nga KE-ja

Ndërkaq profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka konsideruar se rekomandimi i KE-së do të jetë pozitiv për Kosovën, pasi Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna për liberalizim.

“Por nuk do të befasohesha në të njëjtën kohë, ndoshta për shkak të përbërjes së BE-së, që të ketë vendim për ta shtyrë këtë proces. Disa vende vazhdojnë ta mbajnë pozicionin kundër pavarësisë së Kosovës dhe është e mundur që kjo të shprehet edhe në rekomandimin pozitiv për viza. Por, megjithatë jam optimist se rekomandimi do të jetë pozitiv”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është kriteri i fundit për këtë proces, mbetet sfidë edhe pas finalizimit të procesit të vizave.

“Ajo është luftë që do të reflektohet në vazhdimësi, edhe pas liberalizimit. Madje edhe vendet që janë anëtare të BE-së vazhdojnë ta luftojnë korrupsionit sepse është një fenomen që përcillet dhe në këtë fazë mund që ato shtete të cilat nuk janë krejt të gatshme të jenë për liberalizimin ta përdorin këtë argument që gjoja Kosova nuk e ka plotësuar kriterin e luftës kundër korrupsionit”, ka shtuar ai.