Materialet shpenzuese mungojnë nëpër spitale

Aktuale June 28, 2018 - 08:16
Mësoni më shumë shumë detaje

Institucionet shëndetësore publike në Kosovë edhe më tutje vazhdojnë të mos i përmbushin të gjitha kërkesat e pacientëve në lidhje me barnat nga lista esenciale, si dhe materiali shpenzues, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gati 50% e materialit shpenzues mungon në spitale e këto mungesa po mbesin barrë e pacientëve, të cilët tashmë një kohë të gjatë po duhet t’i blejnë produktet medicionale vetë.

Betadine, kapela për mjekë e fasha, këto janë vetëm disa nga produktet të cilat ishte nisur t’i blejë në barnatore private M.Sh.

Ai ka treguar për Zërin se këto produkte nuk ia kishin dhënë mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me arsyetimin se nuk ka, andaj edhe duhej t’i blinte vetë.

LEXO EDHE: Rekomandimi pozitiv, liberalizimi vitin tjetër

“Më kanë thënë të blej betadine e fasha, sepse mjekët nuk kishin në spital. Çfarë më erdhi çudi është se edhe kapelat për mjekë duhet t’i blejnë vetë pacientët. Gjithçka ndodh në vendin tonë. Në këto kushte pacientët e kanë shumë të vështirë t’i blejnë edhe barnat vetë, për atë ne po vijmë po kërkojmë shërim në spital, për t’i pasur kushtet më të mira do të shkonim në spitale private dhe jo në ato të shtetit”, ka thënë ai.

Njëjtë si ai barnatoreve private u drejtohen gati çdo ditë edhe pacientët e tjerë, të cilët kërkojnë shërim në këto klinika ose edhe në spitale regjionale.

Ata në mënyrë anonime kanë treguar për gazetën se po i blejnë të gjitha barnat vetë.

“Po, vetë i kemi blerë të gjitha. Edhe ato që na kanë shkruar për operim, edhe ato pasi që jam operuar vetë i kemi blerë. Disa s’po kushtojnë shtrenjtë, por po t’i mbledhësh të gjitha shpenzimet shtrenjtë po del për ne”, ka thënë njëra nga pacientet.

Në lidhje me furnizimin me barna nga lista esenciale nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës ditë më parë në një përgjigje me shkrim kanë thënë se është duke u përmirësuar furnizimi me barna dhe me material shpenzues.

Mungesë e furnizimit me barna edhe në spitalet regjionale

Me mungesë të barnave po ballafaqohen edhe spitalet regjionale. Mjekë në spitalin e Pejës, të Prizrenit dhe të Gjilanit kanë treguar se në këto spitale nuk ka pasur furnizime të mjaftueshme me barna nga lista esenciale dhe me material shpenzues.

Drejtori klinik në Spitalin e Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se furnizimi me barna nga lista esenciale dhe furnizimi me material shpenzues nuk i përmbush të gjitha kërkesat e pacientëve.

“Është larg përmbushjes së të gjithave kërkesave të pacientëve. Nëse numerikisht krahasojmë me përqindje është larg përmbushjes, megjithatë diku 60% është një furnizim me barna dhe me material shpenzues mjekësor”, ka thënë ai.

Sipas tij, në Spitalin e Gjilanit nuk kanë furnizim të rregullt me produkte medicionale.

“Një kohë nuk kemi një artikull, në një kohë tjetër nuk kemi një artikull tjetër, nuk është furnizimi i rregullt. Megjithatë, është një furnizim më i mirë sesa vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Ndërsa edhe Shefajet Berisha, shef i Personelit dhe Komunikimit në Spitalin e Prizrenit, ka thënë se furnizimi është i vogël.

“Furnizimi është i vogël dhe gjithmonë në pritje të liferimeve. Sipas zyrtarëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ne do të furnizohemi me produktet sipas planit të veprimit për tremujorin e parë (Tm1) dhe 1/3 e kvartalit të tremujorit të dytë (Tm2).  

QKUK: Furnizimi po përmirësohet

Nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në një përgjigje të dhënë me shkrim dy ditë më parë për gazetën kanë treguar se aktualisht furnizimi me barna është 68%, ndërsa me material shpenzues 52%.

Sipas tyre, ka filluar të përmirësohet furnizimi me produkte medicionale.

“Ka filluar ndjeshëm të përmirësohet furnizimi me barna dhe me material shpenzues. Në bazë të raporteve nga Shërbimi Farmaceutik QKUK, Barnatorja Qendrore e QKUK-së ka rritur në 68% furnizimin me barna dhe 52% me material shpenzues”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, presin që ditëve vijuese të ketë përmirësime edhe më të mëdha sa i përket furnizimit me barna dhe me material shpenzues, pasi që ende është duke u kryer furnizimi me produkte të tjera, pas lidhjes së Shërbimit Farmaceutik të Barnatores Qendrore në QKUK ka dalë me shifra pozitive sa i përket furnizimit me barna dhe me material shpenzues për institucionet publike shëndetësore.

Sipas tyre, pas nënshkrimit të kontratave të reja tashmë ka nisur edhe liferimi i barnave të ndryshme nëpër institucionet shëndetësore dhe tani furnizimi është stabilizuar, duke bërë që qytetarët t’i marrin barnat në kohë dhe falas.  

Ditën e djeshme QKUK-ja ka dalë edhe me një njoftim për medie sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale. Në njoftim thuhej se tani furnizimi me barna është mbi 70 për qind.

“Kjo barnatore është furnizuar edhe me anestetikë për nevojat dhe kërkesat e të gjitha klinikave dhe spitaleve, në mënyrë që të gjitha sallat operative të jenë funksionale dhe në krye të detyrës”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, edhe me material shpenzues gjendja e stoqeve është stabilizuar dhe nuk bëhet fjalë për mungesa të materialeve bazike, si: penj, kanilla, doreza, gjilpëra etj.

Kollçaku: Mosfurnizimi ua pamundëson qytetarëve të marrin shërbime shëndetësore

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, ka thënë se mungesa e produkteve medicionale po e vështirëson jetën e qytetarëve, të cilët nuk kanë kushte të mira ekonomike.

“Kanë dalë gjetjet që ka pasur keqpërdorime të mëdha qysh edhe në të kaluarën, kur edhe janë blerë barnat shumëfish më shtrenjtë se në treg. Ministria është duke e punuar një udhëzim administrativ për ta përcaktuar çmimin maksimal, për të mos ndodhur kjo që ka ndodhur, deri në 200% e më shumë për t’i blerë barnat më shtrenjtë. Fakti që mungojnë barnat nga lista esenciale dhe materiali shpenzues e vështirëson shumë jetën e qytetarëve që jetojnë në skamje, kjo e pamundëson një qytetar që të marrë një shërbim shëndetësor”, ka thënë ajo.

Sipas saj, pacientët, sidomos ata që kërkojnë trajtim në Klinikën e Onkologjisë, nuk kanë kohë të presin për këto barna.

“Ne si Komision vazhdimisht kur e kemi thirrur ministrin e kemi ngritur çështjen e mungesës së barnave. Kemi marrë përgjigje se kontratat ishin vetëm njëvjeçare, duke i ditur procedurat e tejzgjatura të prokurimit krijon mundësi që vazhdimisht të ketë mungesa, mirëpo është për t’u habitur se pse po zvarriten këto procese, duke e ditur se vetëm në Onkologji mungesa e barnave i kushton me jetë pacientit dhe kudo tjetër ku ka pacientë, që jeta e tyre varet prej ndonjë ilaçi, ata nuk kanë kohë për të pritur në këto departamente”, ka thënë ajo.