Rekomandimi pozitiv, liberalizimi vitin tjetër

Aktuale June 28, 2018 - 08:02
Mësoni më shumë shumë detaje

Komisioni Evropian në ditët në vijim pritet ta publikojë rekomandimin për heqjen e vizave për kosovarët, megjithatë vlerësohet se liberalizimi nuk do të ndodhë deri në vitin tjetër, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në fund të qershorit ose në javën e parë të korrikut pritet të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këtë e ka bërë të ditur për gazetën Zëri ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila është shprehur e bindur se ky rekomandim do të jetë pozitiv.

Por, sipas ekspertëve të procesit të integrimit, edhe po qe se rekomandimi do të jetë pozitiv vendimi për liberalizim të vizave për Kosovën mund të mos ndodhë deri në vitin tjetër.

LEXO EDHE: Specialja, e harruar

Madje ata thonë se vendimi mund të mos merret deri pas mbajtjes së zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të cilat mbahen në maj të vitit 2019.

Ndërkohë, pikërisht Parlamenti bashkë me Këshillin e Ministrave janë dy institucionet e BE-së në të cilat duhet të miratohet rekomandimi i dalë nga Komisioni, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, ministrja e Integrimit ka konsideruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim dhe se nuk ka kurrfarë arsye që të ketë vonesa në këtë drejtim.

Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e opozitës shprehen skeptikë nëse vlerësimi do të jetë pozitiv dhe nëse vizat do të hiqen gjatë këtij viti.

Hoxha: Raporti për vizat do të jetë pozitiv

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se rekomandimi i Komisionit Evropian për vizat do të bëhet publik në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit që vjen.

“Aktualisht nuk kemi datë të saktë, por nuk ka ndonjë ndryshim. Rekomandimi do të publikohet në ditët e fundit të këtij muaji ose në javën e parë të muajit korrik. Nuk shoh arsye për vonesa sepse Kosova i ka plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi dhe presim që progresi të njihet duke dalë me një rekomandim pozitiv”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Hoxha gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Bruksel ku ka takuar disa eurodeputetë, me ç’rast ka thënë se u ka kërkuar atyre mbështetje për liberalizimin e vizave.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë të mërkurës pas një takimi që pati me drejtoreshën për Zgjerim në KE, Genoveva Ruiz Calavera, u shpreh optimist se  do të ketë vlerësim pozitiv për çështjen e vizave.

Haradinaj theksoi se Calavera i ka thënë gjatë takimit se liberalizimi pritet të bëhet shumë shpejt realitet.

“Tash e dëgjuam edhe drejtoreshën që tha se së shpejti po presim konkluzionet që do të vijnë për ta bërë liberalizmin realitet”, u shpreh  Haradinaj.

Pantina: Gjasat që të kemi vendim pozitiv për vizat nuk duken të jenë afër

Pavarësisht këtyre deputetja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina, ka vlerësuar se finalizimi i procesit të vizave nuk është lehtë të realizohet.

“Heqja e regjimit të vizave nuk duket të jetë në listën e prioriteteve as të Berlinit, por as edhe të Brukselit. Shpresa vdes e fundit, por gjasat që të kemi një vendim pozitiv për heqjen e vizave nuk po duken të jenë afër. E mira në këtë të keqe mund të jetë që më në fund ta kuptojmë se përgjegjës për këtë gjendje jemi vetë ne dhe vetëm vetë ne mund të dalim prej saj”, ka deklaruar ajo.

Për ta ndërruar gjendjen e tanishme sipas Pantinës, pala kosovare duhet t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë.

“Këtë nuk mund ta bëjnë vetëm politikanët, por të gjithë: shoqëria civile, mediet, bizneset dhe vetë qytetarët. Për ta ndërruar situatën duhet të ndërrojmë të gjithë ne e jo këtë t’ua kërkojmë vetëm të tjerëve”, ka shtuar ajo.

Murati: Çështja e vizave për Kosovën mund të mos diskutohet deri më 2019-n

Në anën tjetër Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se çështja e vizave për Kosovën mund të mos diskutohet deri në vitin e ardhshëm.

“Sa i përket Kosovës, në bazë të takimit të djeshëm, ka shumë mundësi që çështja e vizave të mos diskutohet deri pas zgjedhjeve të reja për Parlamentin Evropian, që mbahen në maj të vitit 2019 dhe kjo kryekëput për arsye politike. Disa shtete po frikësohen se me liberalizimin e vizave për shtetet e tjera në këtë periudhë mund të ndikohet në rritjen e subjekteve politike të ekstremit të djathtë me politika antimigracion”, ka deklaruar ai.

Pavarësisht kësaj, Murati ka konsideruar se ka ende gjasa që liberalizimi të ndodhë edhe këtë vit, porse institucionet duhet të punojnë tejet shumë në këtë drejtim.

“Thënë shkurt, viti 2018 jodomosdoshmërish mund të jetë viti i liberalizimit të vizave, edhe pse ka shanse teorike e reale për një gjë të tillë. A do të ndodhë kjo, varet direkt nga lobimi i Kosovës dhe ajo se a mund t’i bindim evropianët që 1.7 milion banorët e Kosovës nuk do ta destabilizojnë BE-në e as nuk do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Normalisht, kjo mund të ndodhë tek pasi të marrim vlerësim pozitiv se e kemi luftuar korrupsionin në mënyrën e duhur”, ka nënvizuar ai.

Gjasa të vogla që liberalizimi të ndodhë këtë vit

Ndërkaq Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, ka thënë se raporti i Komisionit Evropian (KE) mbi atë se sa është përmbushur kriteri i fundit për liberalizim do të publikohet më 2 ose më 3 korrik.  

“Mu pas dy muajsh, 2-3 korrik Komisioni bën publik vlerësimin. Edhe mund të shtyhet pak për shkak të konsultave. Më pastaj fillon procedura me dhjetë hapat siç e ka paraqitur Grupi për Ballkan”, ka deklaruar ai.

Sipas Rashitit, procedurat sa i përket liberalizimit të vizave mund të ndalen vetëm nëse nuk ka vullnet politik për të vazhduar tutje.

Kurse Taulant Kryeziu, njohës i procesit të integrimit, ka vlerësuar se ka gjasa të vogla që të fitojë liberalizimin e vizave këtë vit.

“Duke pasur parasysh tri fakte kryesore: Kosova nuk ka shënuar progres në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe duke pasur parasysh mjedisin jashtëzakonisht negativ politik në BE për çështje të migrimit, kërkesën e Këshillit për Komisionin për të raportuar se a është duke vazhduar përmbushja edhe e kritereve të tjera e bën që procesi të ketë vonesa, gjë që zvogëlon gjasat shumë për ta siguruar liberalizimin e vizave këtë vit”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Kryeziu mbetet optimist se rekomandimi, që së shpejti do të publikohet nga KE-ja, do të jetë pozitiv.

“Pres që raporti të jetë pozitiv dhe Komisioni ta rekomandojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Por nuk duhet harruar një gjë se raporti është pjesa teknike e procesit, i cili kërkon një vendimmarrje politike në Këshill, aty ku unë pres rezistencë të fuqishme politike të vendeve anëtare siç janë Franca, Gjermania dhe Holanda”, ka theksuar ai.