Specialja, e harruar

Aktuale June 28, 2018 - 07:48
Mësoni më shumë shumë detaje

Megjithëse është formuar në vitin 2015 dhe është funksionalizuar para një viti, Gjykata Speciale ende nuk ka filluar me ngritjen e aktakuzave për krime lufte, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Para dy vjetësh kanë nisur paralajmërimet e para se Gjykata Speciale do të dalë shumë shpejt me aktakuzat e para për personat që dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë, mirëpo ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Zyrtarë të Gjykatës Speciale i kanë thënë Zërit se Dhomat janë plotësisht funksionale qysh nga 5 korriku i vitit 2017 dhe se po e vazhdojnë punën, mirëpo nuk kanë bërë të ditur se kur do të mundë të ngrihen aktakuzat e para.

Ndërsa përfaqësues të partive politike të vendit shprehet skeptikë mbi atë se këtë vit do të fillojë ngritja e aktakuzave përderisa konsiderojnë që formimi i Gjykatës Speciale ishte vendim politik dhe jo i drejtë për Kosovën.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve juridike të vendit thonë se çështja e Gjykatës Speciale i ngjan lojës pingpong, pasi po bëhet një lojë politike e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj popullit të saj nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Gjykata Speciale: Po vazhdojmë punën

Zyrtarë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë thënë për “Zërin” që puna e tyre është duke vazhduar qysh nga korriku i vitit të kaluar.


“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor që nga 5 korriku i vitit të kaluar, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Ndërkohë Dhomat e Specializuara të Kosovës gjithashtu vazhdojnë punën e tyre për miratimin e një numri të dokumenteve ligjore në funksion të rritjes së efikasitetit të institucionit. Në maj të këtij viti janë publikuar listat e dyta të mbrojtësve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata gjithashtu kanë treguar për aktivitetet e tyre në Kosovë, me ç’rast kanë thënë që DHSK-ja vazhdon të zhvillojë më tej programin për komunikim dhe për ndërgjegjësim.

“Në bashkëpunim me OJQ-të në terren DHSK-ja takohet me përfaqësuesit e shoqërisë civile në pjesë të ndryshme të Kosovës për t'ia ofruar popullsisë informacionin përkatës, për t'u përgjigjur pyetjeve të tyre dhe për të mësuar më shumë rreth shqetësimeve të tyre”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennet, për “Zërin” ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale është duke vazhduar punën në bazë të mandatit që ua ka dhënë ligji, mirëpo nuk e komentojnë statusin e hetimeve.

“Për arsye profesionale, ligjore dhe etike ne nuk komentojmë statusin e hetimeve, duke përfshirë edhe kohën e ngritjes së aktakuzave të mundshme”, thuhet në përgjigjen e tij.

Deputetët: Gjykata është dashur t’i hetojë edhe krimet e serbëve

Hajdar Beqa, nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili njëherësh është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, i ka thënë “Zërit” që vendimi i formimit të Gjykatës Speciale ishte vendim politik, pavarësisht se partia e tij ka votuar pro formimit të saj.

Megjithëkëtë ai ka thënë se një gjykatë e tillë për krime lufte është dashur të jetë edhe për serbët e jo vetëm për shqiptarët.

“Formimi i Gjykatës ishte vendim i padrejtë për Kosovën sepse është dashur të jetë një Gjykatë Speciale edhe për serbët jo vetëm për shqiptarët, mirëpo nuk mundem ta vlerësoj punën e tyre sepse nuk kemi asnjë informatë. Të vetmen gjë që e dimë ne si deputetë për Gjykatën është ajo që po shihet në opinionin publik përmes medieve”, ka theksuar Beqa.

Ndërsa Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë që Gjykata Speciale është duke luajtur rol politik që po i shkakton dëme Kosovës.

“Gjykata Speciale po luan rol politik. Ajo po zvarrit punën e po kërcënon, gjë që po ndikon edhe te njerëzit vendimmarrës në Kosovë, para këtyre proceseve shumë të rëndësishme për vendin siç janë bisedimet me Serbinë. Njerëzit me presion nga Gjykata shkojnë atje dhe pastaj disa nga faktorët ndërkombëtarë e shprehin hapur disponimin e tyre se çka do të duhej të ndodhte në këto biseda”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se kjo Gjykatë vetëm e dëmton vendin.

Qerkini: Zvarritja e Speciales po bëhet për shkak të presioneve politike

Artan Qerkini, avokat i akredituar nga Gjykata Speciale për të mbrojtur të akuzuarit që do të ndiqen nga kjo Gjykatë, ka thënë për “Zërin” që zvarritja që po i bëhet punës së Gjykatës Speciale është duke u bërë për shkak të presioneve të ndryshme politike.

“Nëse puna e Gjykatës zvarritet në këtë mënyrë, atëherë shohim se kjo Prokurori e Specializuar ose vetë Gjykata Speciale po bien pre e presioneve të ndryshme politike, pavarësisht se prova nuk kemi për një gjë të tillë. Nëse diçka ka filluar dhe është funksionale, atëherë duhet që edhe ata të pandehurit potencialë të fitojnë siguri juridike dhe të mos jetojnë në ankth”, ka thënë ai.

Por sipas tij, nuk ekziston ndonjë afat ligjor i cili do t’ia përcaktonte Gjykatës kohën e ngritjes së aktakuzave.

“Në bazë të Rregullores së Procedurave dhe të Provave, nuk është caktuar ndonjë afat kohor brenda të cilit do të dilnin aktakuzat. Nga ana e rregullativës ligjore aktakuzat nuk kanë ndonjë afat”, ka theksuar ai.

Baraliu: Gjykata Speciale, lojë politike

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike në vend Mazllum Baraliu, duke e komentuar rolin e Gjykatës Speciale në Kosovë, ka thënë që ajo është një lojë politike në vend, e cila është në dëm të shtetit të Kosovës.

“Gjykata Speciale është një lojë e paarsyeshme e bashkësisë ndërkombëtare, një lloj shantazhi i vazhdueshëm që po bëhet me Kosovën dhe me popullin e saj, edhe nga bashkësia ndërkombëtare duke bërë pingpong politik për t’i realizuar qëllimet e tyre strategjike që parimisht po shkojnë në dëm të Kosovës”, ka thënë Baraliu.

Sipas tij, një vonesë e tillë e punës së Speciales është e paarsyeshme.

Në anën tjetër Anton Nrecaj, po ashtu njohës i çështjeve juridike, ka thënë se qysh nga maji i këtij viti është dashur të fillojë puna e Speciales, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh për disa arsye.

“Zvarritja e punës së Gjykatës Speciale është bërë për dy arsye. E para arsye ka të bëjë me emërimin e kryeprokurorit të ri, i cili si duket ka kërkuar kohë më shumë për t’i shikuar të gjitha dosjet (rastet) e mundshme për të ngritur aktakuza. Ndërsa arsyeja e dytë është e lidhur me atë që fillimi i punës së Gjykatës Speciale është i lidhur ngushtë edhe me vazhdimin e mandatit të EULEX-it”, ka thënë Nrecaj për “Zërin”.

Sipas tij, EULEX-i me mandatin e ri do të ketë rol mbikëqyrës dhe këshillëdhënës edhe në rastet e aktakuzave që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale.