Delawie: Kuvendi t’i zgjedhë tre anëtarët e Kushtetueses

Aktuale June 26, 2018 - 08:27
Mësoni më shumë shumë detaje

Ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që pa vonesa t’i zgjedhë tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka kërkuar të mos ketë kalkulime politike në këtë çështje, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Që nga 15 qershori Gjykata Kushtetuese ka mbetur “jofunksionale” për shkak të mungesës së kuorumit, pasi Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur që t’i zgjedhë tre gjyqtarët e rinj në këtë Gjykatë.

Javën e kaluar ka përfunduar intervistimi i kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, ka kërkuar që politika të mos kalkulojë dhe që të zgjedhën gjyqtarët e rinj.

LEXO EDHE: Pak buxhet për aparatura të reja shëndetësore

Ai përmes një shkrimi në “Twitter” ka thënë që politika nuk ka vend në Kushtetutë dhe gjyqtarët e Kushtetueses duhet të emërohen menjëherë, shkruan më tutje "Zëri".

“Politika nuk ka vend në Kushtetutë. Jo më shumë vonesa: Kuvendi duhet t’i emërojë tre gjyqtarë të kualifikuar të Gjykatës Kushtetuese tani. Gjykata më e lartë thelbësore e Kosovës mund të funksionojë dhe ta mbrojë sundimin e ligjit”, ka shkruar Delawie.

Haliti: Intervistimi ka përfunduar, pritet miratimi në Kuvend

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka treguar për gazetën Zërise intervistimi i kandidatëve për gjyqtarë të Kushtetueses tashmë ka përfunduar dhe shumë shpejt pritet që të kalojë në Kuvend për votim të tyre.

“Intervistimi ka përfunduar, tani sipas rregullave që janë në Parlament do të kalojmë në miratim/votim, pastaj kalimi i tyre varet nga deputetët”, ka thënë Haliti.                                                                                       

I pyetur nëse ka gjasa që edhe këtë herë të dështojë zgjedhja e gjyqtarëve në Kuvend, ashtu siç ndodhi herën e kaluar, Haliti ka thënë se kjo varet nga deputetët.

“Varet nga deputetët se a ka kuorum, a vijnë deputetët dhe a duan të votojnë. Unë s’mund të paragjykoj, por grupet parlamentare besoj të gjitha janë të interesuara që ta kenë funksionale Gjykatën Kushtetuese. Të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare kanë qenë gjatë kohës kur kandidatët janë intervistuar, prandaj me siguri do të marrin vendime si grupe dhe si individë”, ka thënë ai.                                                                          

Ndërkaq kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që  Gjykata Kushtetuese të funksionalizohet sa më shpejt, pasi janë një sërë çështjes të cilat i janë dërguar Kushtetueses dhe s’mund të zgjidhen.

“Janë një sërë çështjesh që i kemi dërguar dhe Gjykata Kushtetuese është shprehur e pafuqishme në raport me lëndët për shkak të presioneve që ka pasur qoftë nga vendorët, qoftë nga ndërkombëtarët”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.                                                                                        

Ndërkohë ajo ka folur edhe rreth vendimeve të fundit të kësaj Gjykate, por vendimin për rritjen e pagave të Qeverisë e ka quajtur të papranueshëm.

KMDLNJ: Thaçi s’mund ta dekretojë Llaban për gjykatës të Kushtetueses

Për emërimin e gjyqtarëve të rinj ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLJ). Ata kanë reaguar në lidhje me raportimet se Mirosllav Llaban mund të dekretohet gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.

Në një kumtesë të lëshuar thuhet se në asnjë mënyrë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, s’mund ta dekretojë Mirosllav Llaban si gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës qe një kohë është jofunksionale për shkak të skadimit të kontratës të disa gjykatësve, si dhe dështimit të votimit në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e tre gjykatësve shqiptarë, kurse pa asnjë problem u votua kandidati i komunitetit serb, Mirosllav Llaban, me votën thuaja ekskluzivisht të shqiptarëve. Kandidatët shqiptarë nuk kaluan për shkak të mospajtueshmërisë së subjekteve politike që të votohen kandidatët e propozuar”, thuhet në reagimin e tyre.                                                                                                           

Sipas KMDLNJ-së, Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e ndikuar politikisht që nga themelimi i saj e deri më tani.

Ky ndikim politik, siç thuhet në këtë reagim, rrezikon të bëhet modus vivendi dhe përcaktues i marrjes së vendimeve në një periudhë shumë të ndjeshme, të rrezikshme dhe të rëndësishme për Kosovën.

“Instalimi i kandidatëve politikë (partiakë) në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ndikon në tërë hallkën e sistemit juridik. Kohëve të fundit me votimin e Llaban dhe i cili po e pret dekretimin nga presidenti Thaçi, është edhe një rrezik, kriminalizimi i kësaj Gjykate, aq më parë që kandidati Llaban është arrestuar dhe dënuar në Serbi për një vepër penale, e cila është në kundërshtim të plotë me mandatin dhe me misionin që e ka një gjykatës i Gjykatës Kushtetuese”, thuhet më tutje në reagimin e tyre.

Baraliu: Kuvendi të veprojë sa më shpejt, Kushtetuesja pa kuorum ka pasoja

Ndërkaq profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, zvarritjen e emërimit të gjyqtarëve të rinj e ka quajtur mënyrë të punës në Kosovë.

Sipas tij, zvarritja e tillë nuk është ndonjë risi.

“Këta zvarritjen e kanë mënyrë të veprimit dhe të punës së tyre. Në këtë rast vonesa në emërimin e tyre nuk është as risi dhe as për t’u çuditur. Është për të ardhur keq që në këtë mënyrë të papërgjegjshme zvarritet një proces, që është jetik për funksionalizimin e punës dhe kuorumit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai për “Zërin”.   

Sipas tij, lënia e Gjykatës Kushtetuese pa kuorum ka pasoja të rënda për vendin.

“Lënia e Gjykatës Kushtetuese në këtë mënyrë është e dëmshme dhe me pasoja, sepse mungesa e kuorumit dhe e vendimmarrjes së kësaj gjykate bën që rastet që iniciohen në këtë Gjykatë për shkelje të kushtetutshmërisë të mos zgjidhen. Andaj Kuvendi duhet që sa më shpejt t’i zgjedhë gjyqtarët e rinj”, ka thënë Baraliu.