Kosova në pritje të rekomandimit për heqjen e vizave

Aktuale June 26, 2018 - 08:01
Mësoni më shumë shumë detaje

Këtë javë pritet të publikohet raporti i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria dhe analistët presin rekomandim pozitiv, ndërsa thonë se vendimmarrja brenda BE-së të mos përfundojë deri në fund të vitit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komisioni Evropian gjatë kësaj jave pritet ta japë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

LEXO EDHE: Thaçi e vazhdon dialogun pa konsensus

Sipas Qeverisë së Kosovës dhe njohësve të integrimeve raporti i KE-së do të jetë pozitiv, megjithatë ata thonë se deri te vendimi për heqjen e vizave mund të shkojnë edhe gjashtë muaj të tjerë, shkruan më tutje "Zëri".

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli gjatë javës së kaluar ka bërë të ditur që Komisioni Evropian më 28 qershor të këtij viti do të tregojë nëse Kosova ka përmbushur kriteret e fundit për liberalizimin e vizave.

Ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur do të publikohet ky raport.

Hoxha: Kemi plotësuar kriteret, këtë vit marrim vizat

Ministrja e Integrimeve të Kosovës, Dhurata Hoxha, ka thënë për “Zërin” që muaji qershor do të jetë muaji përfundimtar për liberalizim të vizave për Kosovën.

Duke mos dashur ta specifikojë datën, e para e Ministrisë së Integrimeve ka thënë që raporti nga Komisioni Evropian do të jetë pozitiv.

“Çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe e korrupsionit nuk është e lidhur me data, ne do t’i luftojmë të gjitha dukuritë negative që dëmtojnë interesin e qytetarëve dhe procesin integrues, edhe pse rastet e shënjestruara janë pjesë e vlerësimit dhe të gjitha janë në proces si pjesë e agjendës dhe rekomandimeve. Në fund të qershorit presim vlerësimin pozitiv”, ka thënë ajo.

Ajo ka deklaruar që të gjitha kriteret nga Bashkimi Evropian janë plotësuar nga ana e Kosovës dhe tani institucionet e vendit janë duke pritur rezultatin pozitiv për këtë proces.

“Kemi arsye të besojmë se lëvizja e lirë e qytetarëve tanë do të realizohet, sepse të gjitha kushtet janë plotësuar, 95 kushtet një për një. Nuk kam hamendje për shkak se institucionet me përkushtim kanë punuar në këtë drejtim. Andaj me krejt kapacitetet tona kemi zbatuar rekomandimet, kemi realizuar të gjitha fazat e procesit për liberalizim të vizave, tashmë jemi në pritje të rezultatit pozitiv të punës sonë dhe deri në fund të vitit edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, ka thënë mes të tjerash ministrja.

Ajo mes të tjerash ka thënë se procesi ka pasur disa nivele të vlerësimit, i fundit, Komisioni faktmbledhës për vlerësimin e luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, Gjykatat kanë pavarësinë e vet dhe të gjitha rastet e shënjestruara janë duke u trajtuar me prioritet sipas legjislacionit në fuqi.


Ndërsa kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimeve Evropiane nga Partia Demokratike e Kosovës, Blera Deliu-Kodra, ka thënë për “Zërin” që pret rekomandim pozitiv nga KE-ja, pasi që institucionet kosovare kanë kryer punën e tyre në këtë aspekt.

“Besoj shumë që rekomandimi do të jetë pozitiv, pasi që nga institucionet përkatëse janë adresuar rastet sa i përket korrupsionit dhe konform punës së bërë presim lajm pozitiv për vizat”, ka thënë ajo.

Mes të tjerash ajo ka bërë të ditur që nuk ka ndonjë datë konkrete se kur KE-ja do të dalë me raport për Kosovën, mirëpo sipas saj, pritet të jetë fundi i këtij muajt ose fillimi i muajit korrik.

Vetëvendosja: Kosova nuk merr vizat as këtë vit

Në anën tjetër, ndryshe mendon anëtarja e Komisionit për Integrime nga Lëvizja Vetëvendosje Fatmire Mulhaxha Kollçaku, e cila për “Zërin” ka thënë që në rrethanat në të cilat gjendet Kosova sa i përket luftimit të korrupsionit nuk mund ta marrë liberalizimin e vizave as këtë vit.

“Kjo qeveri jo vetëm që nuk po jep prova që është duke u luftuar korrupsioni, por po e jep të kundërtën. Duke u bazuar në rrethanat ekzistuese në Kosovë nuk ka gjasa që këtë vit të përmbushet ky kusht”, ka thënë Kollçaku.

Sipas saj, e vetmja mënyrë që Kosova mund të marrë liberalizimin e vizave është nëse Bashkimi Evropian i mbyll sytë para kriterit të fundit që ia ka dhënë Kosovës, porse, vlerëson ajo, nëse bëhet një vlerësim real, atëherë liberalizimi do të jetë i pamundur.

Ajo mes të tjerash ka bërë të ditur që qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është se nuk ka vullnet politik në vend për ta përmbushur kriterin e fundit, që BE-ja ia ka dhënë Kosovës. 

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që kushti që është vendos për Kosovën është kushti më i vështirë për t’u përmbushur për shkak të mungesës së vullnetit politik. Nëse Evropa kërkon që vërtet të jepen prova të prekshme që po luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni në vend, atëherë ne nuk do ta merrnim liberalizimin, sepse nuk ka prova reale për këtë gjë”, ka thënë ajo.

Vendimi për Kosovën, në fund të vitit

E njohësi i integrimeve Ardian Prenkaj, duke folur për liberalizmin e vizave për Kosovën, ka thënë që përderisa Komisioni Evropian pritet të japë rekomandim pozitiv për heqjen e vizave, fjalën përfundimtare sipas tij e japin shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Gjasat që raporti i Komisionit Evropian për liberalizim të jetë pozitiv për Kosovën janë të mira, ndërsa vendimi final për vizat u takon shteteve anëtare të BE-së. Ato duhet ta gjejnë kohën e përshtatshme që të vendosin për liberalizim të vizave të Kosovës, mirëpo kjo procedurë mund të zgjasë deri në fund të vitit, derisa të merret vendimi. Kjo nuk është procedurë e lehtë dhe shkon nëpër disa organe të caktuara të BE-së dhe vendimi përfundimtar pastaj mund të merret deri në fund të vitit”, ka thënë Prenkaj.                

Pavarësisht se, sipas tij, janë plotësuar kriteret e fundit teknike për liberalizim ende mund të shfaqen pengesat politike.

“Kriteret përgjithësisht janë të plotësuara. Kriteret për luftim të korrupsionit sipas disa analizave thuhet që veç janë përmbushur dhe mendoj që nuk ka pengesa në këtë aspekt. Pengesat që mund të jenë të tjera janë vetëm pengesa politike, mirëpo shtetet anëtare besoj që janë deri diku të përgatitura që të vendosin pozitivisht për vizat e Kosovës”, ka theksuar mes të tjerash ai.

Sipas tij, Kosova ka një përkrahje deri në 60% të votave në Këshillin Evropian.

Optimist për një raport pozitiv nga KE-ja shprehet edhe Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika.

Ai ndonëse mendon që raporti do të jetë pozitiv për Kosovën dhe thotë se ky është vetëm hapi i parë, pasi që procedurat e mëtejme për liberalizim janë të gjata dhe marrin kohë.

Në një analizë të Grupit Ballkanik për Politika thuhet se procedurat në të cilat do të kalojnë vizat e Kosovës janë të shumta dhe mund të zgjasin deri në fund të vitit.

“Është vështirë të parashikohet sa do të zgjasë i gjithë procesi, potencialisht mund të përfundojë deri në fund të vitit nëse vendimmarrja në Këshill kalon pa probleme. Megjithatë, periudha kohore e të gjithë procesit ndryshon për vende të ndryshme. Në rastin e Moldavisë procesi ka zgjatur rreth pesë muaj, në atë të Gjeorgjisë dymbëdhjetë muaj dhe të Ukrainës trembëdhjetë muaj”, thuhet në këtë raport.                                   

Aty mes të tjerash bëhet e ditur që Komisioni Evropian rikonfirmon propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Propozimi i dërgohet pastaj Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave.