Thaçi e vazhdon dialogun pa konsensus

Aktuale June 26, 2018 - 07:48
Mësoni më shumë shumë detaje

Presidenti Hashim Thaçi pritet ta vazhdojë fazën finale të dialogut me Serbinë pa arritjen e konsensusit ndërmjet subjekteve politike në vend. Partitë opozitare, por edhe Nisma Socialdemokrate (pjesë e koalicionit qeverisës), vazhdojnë ta kundërshtojnë Thaçin si kryenegociator, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse para dy ditësh (të dielën) ka nisur zyrtarisht faza finale e dialogut mes Kosovës e Serbisë, spektri politik në Kosovë po vazhdon të jetë i përçarë dhe të mos bjerë në ujdi sa i përket etapës përmbyllëse të këtij procesi.

Përfaqësuesit e partive opozitare vazhdojnë të mos e mbështesin presidentin Hashim Thaçi për kryenegociator, ani pse takimin e parë të këtij niveli në Bruksel e ka zhvilluar pikërisht kreu i shtetit, Hashim Thaçi, bashkë me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, vetë presidenti Thaçi sa ishte në Bruksel u shpreh optimist se mund të arrihet një konsensus i gjerë nacional në hapat e mëtejshëm të këtij procesi.

Pavarësisht kësaj, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se konsensusi mes subjekteve politike në drejtim të dialogut është thuajse i pamundur për t’u arritur.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës më 23 prill e kishte nisur në Kuvend platformën për dialogun, me anë të së cilës mëtohej të arrihej një konsensus, porse atë e kishte tërhequr pikërisht kur ishte vendosur në rend dite, më 5 qershor të këtij viti.

Nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë për gazetën se Qeveria e ka tërhequr platformën me qëllim që t’u lërë vend partive dhe akterëve të tjerë që t’i paraqesin propozimet e tyre për këtë çështje.

Mirëpo, nuk kanë qartësuar nëse do ta riprocedojnë sërish në Kuvend ose jo këtë platformë. 

Hoti: Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ky subjekt nuk e mbështet presidentin e Kosovës Hashim Thaçin për kryenegociator në bisedimet Kosovë - Serbi.

“Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialogun me Serbinë. Kuvendi ende nuk ka vendosur për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë që ishte në rend dite në Kuvend është tërhequr nga Kuvendi. Ndërkaq, platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë. Rrjedhimisht presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve”, deklaroi Hoti.

Ai ka vlerësuar se secila marrëveshje që nënshkruhet nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi, është marrëveshje private e tij dhe nuk mund të jetë valide.

“LDK-ja nuk e mbështet presidentin që ta zhvillojë dialogun me Serbinë. Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik”, theksoi Hoti, duke shtuar se LDK-ja është e gatshme ta marrë këtë proces përsipër pas zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, në Qeverinë e Kosovës nuk kanë qartësuar se si do të veprohet me platformën për dialogun nëse do të riprocesohet në Kuvend ose jo.

“Qeveria e Kosovës e ka tërhequr platformën me qëllim që t’u lërë vend partive politike dhe akterëve të tjerë që t’i paraqesin propozimet e tyre për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Zyra e Kryeministrit.

Haliti: Asnjëra palë s’do të jetë e lumtur pas dialogut

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti ka thënë se partitë politike mund ta ndihmojnë procesin e dialogut pa u krijuar fare grupi i unitetit.

Sipas tij, çështja e dialogut më shumë dirigjohet prej bashkësisë ndërkombëtare sesa prej vetë palës kosovare.

“Mendoj që Kosovën nuk e pyesin shumë se a është ose jo dakord për këtë punën e dialogut. Është çështje më shumë e një marrëveshjeje ndërkombëtare. Prandaj këtë idenë e grupit të unitetit unë nuk e kuptoj, cila është arsyeja që duhet të ketë patjetër grup të unitetit. Unë mendoj që të gjitha grupet parlamentare, të gjithë ata që duhan të kontribuojnë e kanë mundësinë të kontribuojnë sa i përket dialogut”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Duke folur për përfundimin e këtij procesi, Haliti ka thënë se asnjëra palë nuk do të jetë e lumtur në fund, porse dialogu duhet të vazhdojë.

“Duhet të kihet parasysh që dialogu zhvillohet me rregulla të demokracisë perëndimore dhe nuk zhvillohet sipas rregullave tona. E dyta, asnjëra palë pas dialogut nuk do të jetë e lumtur”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, sipas Halitit, nëse zgjidhet orientimi perëndimor në këtë proces, atëherë zgjidhja do të jetë e pajtueshme për të dyja palët.

Kurteshi: Takimi në Bruksel, takim privat i Thaçit

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se takimi i së dielës në Bruksel nuk ka qenë takim zyrtar, por takim privat i presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.

“Këtë nuk e quaj fillim të bisedimeve zyrtare. Këto janë bisedime private të Hashim Thaçit, meqë nuk ka marrë leje prej Kuvendit, nuk është pajtuar me askënd, ka shkuar kokë më vete dhe kjo nuk mund të konsiderohet zyrtare. Kjo është krejt joserioze dhe nuk ka kurrfarë konsensusi. Ne do ta kundërshtojmë ashpër këtë veprim të papërgjegjshëm të Thaçit”, është shprehur ai.

Duke folur rreth një konsensusi të mundshëm mes partive, Kurteshi ka thënë se as vetë Thaçi nuk po dëshiron të arrihet një gjë e tillë.

“Ai nuk është duke dashur konsensus, ai është duke vepruar siç ka vepruar përherë dhe siç i ka sjellë dëme përherë Kosovës. Kështu që nuk bëhet fjalë për konsensus”, ka potencuar ai.

KDI: Presidenti t’i raportojë Kuvendit, partitë të arrijnë konsensus

Pas takimit në Bruksel ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili ka lëshuar një komunikatë për medie, ku ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi (udhëheqës i dialogut) që t’i raportojë Kuvendit rreth takimit që pati të dielën.  

“Pas takimit të së dielës në Bruksel ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe t’i informojë deputetët rreth përmbajtjes së bisedimeve dhe për hapat e mëtutjeshëm të këtij procesi, për të cilat është dakorduar në takimin e mbajtur”, thuhet në këtë kumtesë.

Sipas kësaj organizate, përfshirja e të gjithë spektrit politik në fazën përmbyllëse është tejet e rëndësishme.

“KDI-ja u bën thirrje edhe partive politike që të angazhohen për këtë proces shtetëror duke luajtur një rol më konstruktiv dhe më të përgjegjshëm, duke lënë mënjanë politikat ditore dhe kalkulimet politike”, theksohet në këtë komunikatë.

Megjithëkëtë, njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri ka vlerësuar se nuk do të arrihet ndonjë konsensus mes partive për dialogun me Serbinë.

“Unë nuk mendoj që arrihet një konsensus i partive politike, sepse partitë politike nuk po sillen në mënyrë shtetërore, por po sillen në mënyrë partiake. Pra, partitë politike nuk i kanë harmonizuar programet për një platformë shtetërore të Kosovës”, ka theksuar ai.