Haziri reagon ashpër ndaj atyre që po paguajnë për Xhakën, Shaqirin, i quan injorantë, të korruptuar

Aktuale June 25, 2018 - 23:54
Lexo detajet

Nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri ka reaguar ndaj të gjithë atyre që po dhënë para për të paguar dënimin që morën nga FIFA, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Të gjithë këta që po tentojnë të mbledhin 25 mijë euro, si dënim për simbolin e shqiponjës nga futbollistët e Zvicrës, sipas Hazirit janë injorantë dhe të korruptuar.

Kryetari i Gjilanit thotë se futbollistët shqiptarë të kombëtares zvicerane të cilët mundën 2:1 Serbinë në kuadër të Kupës së Botës nuk kanë nevojë për para të ‘korrupsionit’.

“Po lexoj e ndigjoj budallaki të llojit të vetë. Ministra e deputetë po kërkojnë nga qeveria ta paguaj dënimin që u shqiptua për Shaqën e Xhakën. A jeni n’veti bre? A po mendoni që jeni ma t’pasun se Federata e Futbollit zviceran, se konfederata e se lojtarët, a?! Nji gja dijeni: ata nuk marrin pare të korruptueme. Nashta edhe keni harrue që ‘çdo dhuratë ma shumë se 50 euro asht korrupsion”. Nejse, të korruptuemit nuk e lexojnë mirë këtë punë!”, shkroi Haziri në Facebook.

“Edhe nji politikan ia kish kujtue BE dhe ShBA që ish-ministri i Milosevic asht ba president i Serbisë. Po get keni harrue që para se me u ba president, ka qenë edhe kryeministër. Marre asht me manipulue me ‘pagesa’ e memory. Fajtori dihet! #manupilanta #injoranta #tëkorruptuem”, thotë Haziri.

FIFA dënoi me nga 10 mijë euro Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin dhe me 5 mijë euro kapitenin helvetik Stephan Lichtsteiner, pasi i njëjti pasoi veprimin e shqiptarëve duke bërë më duar simbolin e shqiponjës, gjë e cila u quajt provokim nga ana e Serbisë.