Ish-ambasadori amerikan në Beograd: Zgjidhja Kosovë-Serbi, të jetë fitore për të gjithë

Aktuale June 25, 2018 - 21:03
Lexo detajet

Fuqitë botërore do të mbështesin iniciativat e presidentit të Serbisë dhe atij të Kosovës për të arritur një kompromis. Kështu po thotë Cameron Munter, ish-ambasador i Amerikës në Beograd, duke shtuar se zgjidhja mes dy shteteve duhet të jetë një fitore për të gjithë.

Duke komentuar një deklaratë të Vuçiqit pas raundit të ri të bisedimeve, Munter theksoi se shtetet e mëdha do të përkrahin zgjidhjen që e propozojnë presidentët e dy shteteve.

“Nëse ata nuk mund të arrijnë një marrëveshje për të zgjidhur problemet, atëherë dikush duhetë të jap përkrahje”, tha Munter, transmeton lajmi.net.

Ai shton se Kosova e Serbia duhet të bëjnë hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve. Kjo sipas tij përfshin zgjidhjen e problemit të kufijve, Asociacionit dhe marrëveshjeve të tjera të arritura.

Takimin e fundit ndërmjet dy presidentëve ai e cilësoi si një takim mjaft pozitiv.

LEXO EDHE: Brnabiq nuk e konsideron dobësi gatishmërinë e Serbisë për kompromis lidhur me Kosovën

“Javën e kaluar nuk ishte e gjitha ajo që dukej. Ka vend për përmirësime, por mendoj se është shumë mirë”, theksoi ish-ambasadori amerikan në Serbi.

Munter gjithashtu deklaroi se kërkesat për përfshirjen e Amerikës në dialog, po vijnë nga dy shtetet.

Duke folur për njohjen e Kosovës nga Serbia, tha se vendimet e tilla janë të vështira.

“Këto janë vendime të vështira. Unë shpresoj që procesi të lehtësohet”, përfundoi Cameron Munter.

Takimi i fundit ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit u zhvillua dje në Bruksel.