Nis faza finale, takimi i parë pa rezultate

Aktuale June 25, 2018 - 09:50
Lexoni më shumë detaje

Gjatë ditës së djeshme ka nisur zyrtarisht faza finale e dialogut Kosovë - Serbi, shkruan "Zëri".

Takimi i mbajtur dje ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u cilësua si tejet i vështirë nga dy protagonistët e këtij procesi.

Megjithëkëtë, ndërmjetësuesja e dialogut (përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian), Frederica Mogherini, vlerësoi se takimi ishte mjaft produktiv sa i përket rrugës drejt marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërkaq presidenti Thaçi bëri të ditur se në Bruksel është rënë dakord për arritjen e një marrëveshjeje fituese, e cila është në interesin e të dyja shteteve.

Pavarësisht këtij dakordimi, Vuçiq nuk u shpreh optimist për arritjen e marrëveshjes, ndonëse deklaroi se në këtë tryezë janë hapur shumë çështje. Mirëpo asnjëra palë nuk i bëri publike temat që janë hapur në këtë takim, shkruan më tutje "Zëri".

Në një komunikatë të lëshuar për medie nga BE-ja thuhet se të dy presidentët u morën vesh që ta intensifikojnë punën në ditët në vazhdim sa i përket fazës finale.

“Përfaqësuesja e lartë dhe presidentët patën një diskutim intensiv dhe produktiv mbi kuadrin e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Ata ranë dakord që ta intensifikojnë punën në javët e ardhshme”, potencohet në këtë njoftim.

Në anën tjetër, kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se ky takim nuk ka qenë aspak i lehtë. Megjithatë, Thaçi tha se është dakorduar me homologun e tij që procesi i dialogut të marrë një dinamikë dhe të intensifikohet në javët në vijim.

“Kemi arritur në konkludim se arritja e marrëveshjes përfundimtare është në interesin e të dyja vendeve për arritjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon. Pra, arritjen e një marrëveshjeje fituese për të dyja palët dhe kjo zgjidhje është marrëveshja e standardeve evropiane”, deklaroi ai.

Po ashtu presidenti i Kosovës bëri të ditur se në Bruksel është diskutuar edhe për arritjen e një kornize të marrëveshjes finale mes të dyja vendeve.

“Sot kemi diskutuar se si të arrijmë një kornizë të përgjithshme të kësaj marrëveshjeje, që do të jetë e pranueshme edhe për popullin e Kosovës dhe të Serbisë dhe të shikohet nga e ardhmja evropiane e jo nga e kaluara konfliktuoze”, potencoi më tutje ai.

Ndonëse e cilësoi të vështirë arritjen e marrëveshjes finale, Thaçi u shpreh optimist se një gjë e tillë do të ndodhë.

“Nuk është e lehtë të shkohet drejt zgjidhjes përfundimtare të një problemi shumë të theksuar dhe të ndjeshëm të popujve tanë, por edhe më gjerë. Unë shpresoj edhe sot që është momentumi i duhur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Përndryshe, nëse e humbim këtë momentum do të paguajmë të dyja vendet çmim shumë të lartë”, nënvizoi ai, duke shtuar se të dyja palët do të jenë fituese në fund të procesit.

Pas takimit u deklarua edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha se zgjidhja mes të dyja vendeve duhet të jetë racionale dhe se problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore.

Dakordimi mes të dyja palëve për t’i zgjidhur problemet, sipas Vuçiqit, është tejet i rëndësishëm edhe për serbët e Kosovës.

“U dakorduam që të gjitha problemet që kemi duhet të zgjidhen në paqe, duke respektuar njëri-tjetrin. Kjo është shumë e rëndësishme për serbët në Kosovë, për të gjithë qytetarët e Serbisë. Biseduam për përqendrimin në dialog, për të treguar se ne mund të flasim dhe të punojmë në zgjidhjen e çështjeve të hapura. Unë nuk jam optimist, por kemi hapur shumë çështje”, theksoi Vuçiq. /ZËRI/