Serbia lobon që ndarja e Kosovës të futet në agjendën e dialogut

Aktuale June 25, 2018 - 07:59
Mësoni më shumë shumë detaje

Serbia është duke vazhduar lobimin që ndarja e Kosovës të futet në agjendën e fazës finale të dialogut ndërmjet këtyre dy shteteve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Madje ka disa deputetë në shtetet mike të Kosovës të cilët tashmë po e përkrahin këtë ide.

Por pavarësisht ndryshimit të qëndrimeve të deputetëve të caktuar, shtetet mike të Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë idenë e ndarjes, duke thënë se ajo do të krijonte potencial për efekte destabilizuese në rajon dhe përtej tij.

LEXO EDHE: Heldt: Ndarja e Kosovës destabilizon rajonin dhe më gjerë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përmes një përgjigjeje për gazetën Zëri e ka përshëndetur fillimin e fazës finale të dialogut, duke thënë se është thelbësore që Kosova të bashkohet për t’u përgatitur për këtë hap të rëndësishëm për të garantuar prosperitetin e saj në të ardhmen, si dhe stabilitetin dhe rritjen ekonomike.

Më tej kjo Ambasadë vlerëson se të dyja palët duhet të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje, që ua hap rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Palët duhet të kërkojnë një zgjidhje, të cilën mund ta pranojnë të dyja anët dhe që hap shtegun drejt BE-së për të dyja shtetet”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së.

Gjermania dhe partnerët, kundër ndarjes

Kurse ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se është e papërgjegjshme që në disa qarqe qarkullojnë ide për ndarje të Kosovës.

Ai ka siguruar se Gjermania dhe partnerët e saj qëndrojnë prapa integritetit territorial të Kosovës.

“Për mua është e papërgjegjshme që ende në disa qarqe qarkullojnë ide të ndryshme për ndarje: Gjermania, sikurse edhe shumica absolute e partnerëve të saj, qëndron pa asnjë dyshim prapa integritetit territorial të Kosovës”, ka deklaruar Heldt.

Ai më tej ka thënë se Gjermania nuk beson që ndryshimet e kufijve do të çonin në një zgjidhje të qëndrueshme në mes të Serbisë dhe Kosovës.

“Përkundrazi, ato do të krijonin potencial për efekte destabilizuese në rajon dhe përtej tij. Për këtë arsye ne jemi kategorikisht kundër”, ka shtuar ambasadori gjerman.

Edhe në partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, deklarohen kundër idesë së ndarjes.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se në agjendën e dialogut nuk do të përfshihen çështjet të tilla si ndarja e Kosovës.

“Çështjet e padiskutueshme nuk do të jenë pjesë e dialogut, sepse Kosova është pranuar si shtet i pavarur dhe sovran nga shumica e shteteve që kanë ndikim në glob, prandaj këto mund të jenë vetëm ëndrra të atyre, që nuk e dinë realitetin e Kosovës”, është shprehur Isufi, duke thënë se në Bruksel do të bisedohet për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë e jo për tema të cilat mund të shkaktojnë probleme dhe t’i devijojnë interesat e bashkësisë ndërkombëtare.

Edhe partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, e konsideron të papranueshme mundësinë e futjes së ndarjes në agjendën e dialogut.

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se Serbia po mundohet të bëjë një propagandë speciale ndaj Kosovës, mirëpo ndarja nuk mund të ndodhë.

“Së pari nuk ka askush mandat të pranojë propozime të tilla. Së dyti, është Kushtetuta e Kosovës që e përcakton se Kosova as nuk mund të ndahet dhe as t’i bashkohet askujt. Së treti, askush nga përfaqësuesit tanë institucionalë e politikë nuk ka mandat të flasë për ndarje. Serbia mund të flasë çfarë të dojë, por e vërteta është që Republika e Kosovës e njohur nga 115 shtete, në krye me shtetet më të fuqishme, është realitet faktik, historik e territorial...”, është shprehur Rugova.

Ai madje ka thënë se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë të qartë se opsioni i ndarjes së Kosovës nuk duhet të jetë pjesë e dialogut. 

Krasniqi: Ndarja nuk është opsion që prodhon paqe

Në anën tjetër Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se zyrtarisht ende nuk ka asnjë informacion se për çfarë do të negociohet në fazën përfundimtare të dialogut.

Ajo ka thënë se Kosova po shkon në këtë proces pa një platformë shtetërore, pa mandat të Kuvendit të Kosovës, pa konsensus politik dhe mbi të gjitha me një skenë politike të fragmentuar mbi udhëheqjen e këtij procesi nga presidenti i vendit.

Sipas Krasniqit, marrëveshja finale duhet të votohet me 2/3-at e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe nëse pala kosovare vazhdon këtë proces, ashtu siç është duke e nisur, pa konsensus politik dhe pa bashkërendim të institucioneve, atëherë e ardhmja nuk duket shumë shpresëdhënëse.

Krasniqi ka thënë se ndarja e Kosovës nuk është opsion që prodhon paqe.

“Vlerësoj që ndarja e Kosovës nuk është opsion që do të prodhonte paqe dhe stabilitet në rajon. Idetë e tilla do të shkaktonin probleme serioze nëpër të gjithë Ballkanin, duke nisur nga Bosnja dhe duke përfunduar në Maqedoni”, ka vlerësuar ajo.

Në fund Krasniqi ka thënë se vendet partnere duhet ta kuptojnë që normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë arrihet vetëm me njohjen reciproke, duke mos cenuar funksionimin e sistemit unitar të shtetit të Kosovës, pa prekur integritetin territorial dhe duke ia garantuar asaj përfaqësimin si shtet i barabartë në arenën ndërkombëtare.