Abdixhiku: Serbia u provokua sepse kanë urrejtje kolektive ndaj shqiptarëve

Aktuale June 24, 2018 - 21:50
Lexoni më shumë detaje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku  përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar arsyen pse Serbia është ndier e provokuar nga dy lojtarët shqiptarë.

Sipas tij, serbët janë provokuar sepse j anë ndjerë shqiptarë dhe se kjo gjë tregon për urrejtjen kolektive që një vend i tërë ka ndaj shqiptarëve dhe kushdo që ndihet shqiptarë, transmeton "Zeri.info".

Këtë ai e ka quajtur sëmundje të rëndë.

Ky është postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:

Serbia është provokuar sepse dy lojtarë janë ndjerë shqiptarë. Kaq është gjesti provokues i lojtarëve tanë.

Ky provokim tregon për urrejtjen kolektive që një vend i tanë ka ndaj shqiptarëve dhe kujdo që ndihet shqiptarë. Ata provokohen nga vet ekzistenca e shqiptarëve. Dhe kjo gjendje e tyre është sëmundje. Sëmundje e rëndë madje.

Tashti sëmundjen e tillë s’mund e as që kem energji ta shërojmë. Por sëmundja e tillë s’duhet të trajtohet me shpërblim nga FIFA. Dënimi eventual i Xhakës dhe Shaqirit – veçse janë ndjerë shqiptarë – është shpërblim i të sëmurëve.

Për ta thënë thjeshtë, Serbia është provokuar sepse është mundur nga dy shqiptarë. Dy shqiptarë me superlojë kanë eliminuar ekipin nacional serb.

Ky fakt është i padurueshëm për ta. Prandaj janë në histeri kolektive; me politikë, me medie, me federatë – një Serbi e tanë. Dhe si inatçorë tradicional që janë; tani kërkojnë hakmarrje për djemtë tanë – për një simbol shqiptar.

Prandaj është domosdoshmëri që shtetet shqiptare të reagojnë qysh tani. Nuk guxojmë që një simbol kombëtar ta transformojmë si provokues për dikë.

Festimi me shqiponjë ka qenë formë krejt e zakonshme e festës së lojtarëve tanë – në secilën ligë, në secilën ekip në secilin kampionat. Ka qenë formë e krenarisë për plot sportistë, artistë, ushtarë, këngëtarë e politikanë. E tillë duhet të mbetet ajo.

Ndalimi i këtij simboli, për çfardo arsye absurde që dikush mund të jep, do të hapte derën e ndalesës së secilit simbol identifikues të kombeve tjera – përfshirë dhe ‘tre gishtëshin’ serb, nën hijen e të cilit janë kryer masakra e gjenocide në Ballkan.