Pacolli i kundërpërgjigjet Daçiqit

Aktuale June 24, 2018 - 18:33
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili po qëndron në Bruksel aktualisht, i është kundërpërgjigjur homologut të tij serb, Ivica Daçiq, i cili sot deklaroi se Kosova do të marrë edhe shumë “çnjohje” të tjera, raporton zeri.info.

Para mediave, Pacolli tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se shumë shpejt Kosova do të marrë njohje të reja.

LEXO EDHE: Daçiq: Çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur përfundimisht

“Sigurisht nuk duhet të merrem me deklaratat e të tjerëve. Ne jemi shumë konstruktivë, ne jemi duke krijuar miqësi me botën. Mund të them që kemi me dhjetëra shtete që janë në procesin përfundimtar të njohjes. Këto njohje vijnë nga të gjitha kontinentet. Është një proces i pandalshëm dhe ato do të vijnë e nuk do ta befasojnë askënd”, deklaroi ai, raporton "Zeri.info".

Shefi i diplomacisë kosovare më tej, tha se tërheqje të njohjes nuk ka pasur as nga Liberia, as nga shtetet e tjera.

“Nuk ka pasur tërheqje, e dini mirë. Nëse ka ardhur dikush në Beograd dhe është deklaruar para kamerave, nuk di arsyen pse. Me rëndësi shikojeni faqen zyrtare të shteteve që po pretendohet se kanë tërhequr njohjet dhe shihet se kush po gënjen. Unë e di që dikush po gënjen, po shpifë. Liberia ka konfirmuar para dy ditësh se askush nuk mund të flasë në emër të Liberisë. Këto ditë do të ketë edhe vizita zyrtare. Ai që ka deklaruar se Liberia ka tërhequr njohjen ka bërë gabim të madh dhe nuk përfaqëson qeverinë e Liberisë. Po ashtu, ai që pati deklaruar se Burundi ka tërhequr njohjen ai është shkarkuar”, ka shtuar ai.

I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë njohje edhe nga ndonjëri prej vendeve të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, Pacolli u përgjigj pozitivisht rreth kësaj.

“Sigurisht që po. Nuk do të jetë befasi për askënd, sepse procesi i shtetndërtimit të Kosovës është i qartë dhe nuk ka të ndalur”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, në Bruksel tashmë e dy orë është duke u mbajtur takimi mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe ndërmjetësues së dialogut, Frederika Mogerini.

Ky takim është duke u zhvilluar në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi./Zeri