LVV: Po tentohet të ndryshohet kushtetuta

Aktuale June 24, 2018 - 14:43
Lexo detajet

Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se presidenti Hashim Thaçi është duke tentuar që ta ndryshojë kushtetutën e Kosovës, në mënyrë që ta jetësojë marrëveshjen e Asociacionit, raporton “zeri.info”.

Nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, ka thënë se me një veprim të tillë Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive, siç po kërkon pala serbe.

LEXO EDHE: Thaçi: Asociacioni do të formohet sipas kushtetutës, duhet të shmangim konfliktet e reja

“Si duket do të tentohet që të ndryshohet kushtetuta, por jo të japë përgjegjësi presidenti për marrëveshjet e nënshkruara”, deklaroi ajo gjatë një konference të mbajtur sot.

Sipas saj, Thaçi ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme me Serbinë, ku njëra prej tyre, siç ajo është shprehur, është pikërisht Asociacioni.

Ndërkaq, deputetja e këtij subjekti, Albulena Haxhiu, tha se kreu i shtetit nuk ka legjitimitet për ta drejtuar dialogun.

“Personi që më së shumti i ka sjellë dëme vendit po e vazhdon avazin e vjetër. Ai sot pa legjitimitet do ta mbajë takimin e radhës me Vuçiqin. Tash del se ne kemi pasur të drejtë karshi këtij procesi të dëmshëm. Kur nisi procesi u tha se do të jetë thjesht peoces teknik, në fakt ishte politik dhe i ndërtuar mbi premisa të dëmshme”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në Bruksel pritet të nisë faza finale e dialogut, me ç’rast presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të zhvillojë një takim me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq./Zeri