Shkeljet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në punësime dhe specifikasionet tenderuese

Aktuale June 23, 2018 - 17:48
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, që nga viti 2013 vazhdon të mbahet me ushtrues detyre, ndërsa pozita e Drejtorit të Departamentit për Politika dhe Analiza vazhdon të mbulohet po ashtu me ushtrues detyre nga viti 2014

Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, që nga viti 2013 vazhdon të mbahet me ushtrues detyre, ndërsa pozita e Drejtorit të Departamentit për Politika dhe Analiza vazhdon të mbulohet po ashtu me ushtrues detyre nga viti 2014 raporton Kallxo.com.

Kjo e gjetur theksohet në raportin e Auditorit për vitin 2017.

Sipas Auditorit Ligji për Shërbimin Civil përcakton se një pozitë nuk mund të mbahet nga ushtruesi i detyrës për më shumë se tre muaj.

Sipas Auditorit, mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë, rrit rrezikun e mos arritjes se objektivave dhe performanca/përgjegjësia e realizuar në këto pozita të mos jetë në nivelin e duhur.

Ministria për Komunitete dhe Kthim, në dosjen e tenderit “Furnizim me pajisje të IT”, në vlerë 9,805€ në njoftimin për kontratë kishte specifikuar artikullin duke e përcaktuar prodhuesin Samsung Galaxy tab. S10.5.

Sipas Auditorit në nenin 28 të LPP-së pika 7 thuhet se autoriteti kontraktues nuk do të përpilojë specifikimet teknike që i referohen një artikulli ose burimi të veçantë, ose një procesi të hollësishëm, ose ndonjë shenje dalluese, lloji ose origjine të veçantë ose ndonjë prodhimi.

Sipas Auditorit, përcaktimi i specifikimeve teknike që i referohen një prodhimi specifik apo shenje dalluese rritë rrezikun e favorizimit ose diskriminimin e operatorëve ekonomik.

Në raportin e Auditorit gjithashtu thuhet se në dy pagesa për mallra dhe shërbime është identifikuar se zotimi dhe urdhër-blerja ishte bërë pas pranimit të faturës.

“Mos ndjekja e procedurave të duhura të kontrollit gjatë pranimit të mallit dhe kryerjes së pagesave mund të ndikojë në pranimin e mallrave që nuk janë në pajtim me kushtet e kontraktuara dhe pagesa potencialisht të parregullta”, thuhet në raport./Kallxo.com