Strategjia serbe për t’i tërhequr njohjet para fazës finale të dialogut

Aktuale June 23, 2018 - 16:24
Lexo detajet

Ndonëse para pak ditësh mediet serbe raportuan se Liberia e kishte tërhequr njohjen ndaj Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e këtij shteti e ka demantuar një gjë të tillë gjatë ditës së djeshme, shkruan "Zëri". 

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se paralajmërimet e tilla për tërheqje të njohjeve janë propagandë e Serbisë, pasi akti i tërheqjes nuk ekziston në të Drejtën Ndërkombëtare. 

Megjithatë, ata se deklarimet e tilla shkaktojnë efekte të dëmshme në drejtim të Kosovës, veçmas te vendet që nuk e kanë njohur dhe hezitojnë ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërkaq Adrian Prenkaj, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka konsideruar se përpjekjet e Serbisë për t’i tërhequr njohjet e Kosovës janë pjesë e strategjisë serbe para fazës finale të dialogut për ta minuar konsolidimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

“Në këto përpjekje Serbia përkrahet prej aleatëve të saj që nuk e kanë agjendën në pajtueshmëri me Perëndimin. Duhet ta kemi parasysh që kjo po ndodh në kontekst të përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL”, ka deklaruar ai për "Zërin".

Pavarësisht përpjekjeve dhe propagandës së Serbisë, sipas Prenkajt, njohja e pavarësisë së Kosovës po vazhdon. “Njohja e fundit nga shteti i Madagaskarit ka qenë e rëndësishme, sepse e ka diskredituar propagandën e Serbisë dhe strategjinë e ministrit të Jashtëm serb. Çdo njoftim nga ana e Serbisë për tërheqje të njohjeve të Kosovës është demantuar”, ka shtuar ai. 

Pavarësisht tij Armend Muja, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka konsideruar se Serbia në bashkëpunim me Rusinë dhe me Kinën ka arritur ta stopojë procesin e njohjes së Kosovës dhe inkuadrimin e saj në organizata ndërkombëtare.  /Zëri