Analistët: Duhet konsensus politik mbi fazën finale, Kuvendi të jetë epiqendra e diskutimeve rreth dialogut

Aktuale June 23, 2018 - 13:08

Pala kosovare është duke shkuar në takimin e Brukselit që do të mbahet të dielën pa një platformë shtetërore, pa legjitimitetin e Kuvendit të Kosovës dhe pa një konsensus politik, ndërsa çdo rezultat nga ky takim do të jetë diskutabil dhe i dyshueshëm.

Kështu vlerësojnë analistët dhe njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Madje, sipas politologut Belul Beqaj, takimi mes Thaçit dhe Vuçiqit është një spektakël medial.

Sipas tij, rezultati i vetëm pozitiv në këtë takim mund të jetë gatishmëria e palëve për të vazhduar dialogun.

“Spektakël medial. Pres vazhdim të lojës së suksesshme të improvizimeve të cilat nëse kuptohen seriozisht do të krijojnë probleme serioze, nëse kuptohen jo seriozisht do t’i hidhet përgjegjësia palës kosovare. Rezultati i vetëm pozitiv mund të jetë gatishmëria e palëve për të vazhduar dialogu. Çdo rezultat tjetër pa mbështetjen e institucioneve dhe faktorëve politikë relevantë të Kosovës do të jetë diskutabil dhe i dyshueshëm. Mbase, hapja eventuale e temave përfundimtare pa pëlqimin e Parlamentit të Kosovës dhe konsensusit politik të faktorëve relevant politik krijon parakushte për përsëritjen e skenave që i kemi përjetuar me rastin e demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë për Telegrafin, Beqaj.

Ai konsideron se niveli i takimeve nuk është aq me rëndësi sa është me rëndësi ata që dialogojnë të kenë mbështetjen serioze të institucioneve politike dhe vullnetit politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës.

“Ç’vlerë kanë marrëveshjet e presidentëve nëse ato nuk i ratifikojnë parlamentet, apo janë në kundërshtim me vullnetin politik të popullit? Kosova nuk duhet të bie në grackën e njohjes implicite dhe pranimit eventual në OKB, duke rrezikuar funksionalitetin unik të pushtetit qendror të shtetit të Kosovës”, sqaroi Beqaj.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialogun në KDI, ka bërë të ditur se shteti i Serbisë tashmë prej disa kohësh është duke përdorur një diplomaci të egër kundër shtetit të Kosovës.

Sipas saj, kjo sjellje e Serbisë shkon ndesh edhe me vet parimet e BE-së, përkatësisht të fqinjësisë së mirë.

Krasniqi potencoi se nëse Serbia vazhdon me një qasje të tillë atëherë BE duhet ta sanksionoj rrugëtimin e saj evropian.

“Shteti i Serbisë tashmë prej disa kohësh është duke përdorur një diplomaci të egër kundër shtetit të Kosovës, e cila shkon kundër vet qëllimit të dialogut, atë të normalizimit të marrëdhënieve. BE duhet të kërkoj qartazi nga Serbia ndalimin e një sjelljeje të tillë dhe të kërkoj nga BE që të jetë konstruktive dhe të zbatoj obligimet të cilat ajo i ka marr. Nga ana tjetër, shtetit i Kosovës duhet të ndërtoj një diplomaci të mirëfilltë për të promovuar veten, për të konsoliduar sovranitetin e saj ndërkombëtar duke mos luajtur rolin e spektatorit ndaj diplomacisë destruktive të Serbisë”, u shpreh Krasniqi.

Ajo ka folur edhe rreth temave të mundshme që pritet të diskutohen të dielën në Bruksel.

“Nuk kemi informacione se çfarë do të diskutohet në këtë takim në mes palëve përveç paralajmërimit se do të jetë takimi i parë për fazën finale, edhe atë sipas qëndrimit të presidentit Thaçi. Nëse është kështu, atëherë pala kosovare në këto bisedime është duke shkuar pa një platformë shtetërore, pa legjitimitetin e Kuvendit të Kosovës, pa një konsensus politik dhe mbi të gjitha me një skenë politike të fragmentuar mbi vet udhëheqësin e këtij procesi”, ka thënë tutje Krasniqi.

Krasniqi vlerëson gjithashtu se duhet të ketë konsensus politik mbi fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi për të përcaktuar qëndrimin e palës kosovare.

“Kuvendi i Kosovës duhet të jetë epiqendra e diskutimeve rreth fazës së ardhshme të dialogut me Serbinë duke synuar ndërtimin e konsensusit politik dhe mbi të gjitha të definimit të qëndrimit dhe platformës së shtetit të Kosovës në këto bisedime. Pajtimi i klasës politike për udhëheqësin dhe ekipin përbërës negociues me Serbinë, do të paraqiste legjitimitet dhe vlerë të shtuar përfaqësimin e shtetit të Kosovës”, theksoi ajo.

Krasniqi shtoi se në këtë platformë duhet të definohen temat e diskutimit, pritshmëritë e palës kosovare në këto bisedime, epilogu i pritshëm, vijat e kuqe si dhe formati i përfaqësimit të shtetit të Kosovës në këtë proces.

“Kuvendi duhet të mandatoj ekipin udhëheqës të Kosovës në këto bisedime duke e legjitimuar atë edhe me anë të një Rezolute. Kjo patjetër duke shkuar në funksion të ndërtimit të një qëndrim unik të shtetit të Kosovës në këto bisedime, të garantimit të transparencës dhe gjithpërfshirjes dhe mbi të gjitha të bashkërendimit institucional. Kosova në këto bisedime duhet të kërkoj njohjen nga shteti i Serbisë, duhet të kërkojë zhbllokimin e situatës me çështjen e 5 shteteve jo njohëse të BE-së si dhe të kërkoj anëtarësimin e saj në OKB si anëtare me të drejta të barabarta”, tha ndër të tjera Krasniqi.

Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar në dy nivele. Në atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve, si dhe nivelin teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave.