Qe dy vjet pa furnizim me proteza për invalidët e luftës

Aktuale June 23, 2018 - 08:40

Klinika Ortoprotetike qe dy vjet nuk është furnizuar me proteza për invalidët e luftës, si dhe për qytetarëve tjerë që u mungon ndonjë gjymtyrë e trupit. Kjo klinikë nuk është furnizuar as me materiale tjera për të cilat 2,500 pacientë kërkojnë trajtim, shkruan Gazeta "Zëri".

Mungesat e përgjithshme të materialit të nevojshëm priten të vazhdojnë deri në vitin e ardhshëm, pasi vetëm atëherë Ministria e Shëndetësisë ka paraparë ndarjen e 500 mijë eurove për përmbushjen e këtyre nevojave.

Lulzim Geci, drejtor i Shërbimit Klinik të Ortoprotetikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë për “Zërin” se qe dy vjet në këtë klinikë nuk ka pasur furnizim me proteza, ndonëse ai ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe dyvjeçare në përgjithësi në këtë klinikë kanë munguar shërbimet.

“Ka pasur mungesë të furnizimit me proteza qe dy vjet. Në përgjithësi qe dy vjet shërbimet kanë munguar, jo të gjitha, për arsye se proteza në një vit kërkojnë diku 80-100 persona, por ka pasur edhe nevoja të tjera. Ka pasur mundësi që për proteza materiali të harxhohet më herët, për këpucë më vonë, për shtojca më vonë, por nuk është harxhuar për të gjitha menjëherë”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo klinikë furnizohet në të njëjtën kohë me të gjitha shërbimet. “Materiali i furnizimit tek ne kur bëhet, bëhet për komplet Qendrën. Pra nuk bëhet veç për proteza, veç për këpucëtari dhe për të tjerat veç, por bëhet në total. Ne e bëjmë kërkesën. Zakonisht bëjmë kërkesë vjetore ose gjashtëmujore për të gjitha shërbimet”, ka theksuar ai.

Geci ka bërë të ditur se totali i pacientëve që në këtë klinikë kërkojnë shërbime është 2,500. “Sipas statistikave në vitet paraprake, totali i pacientëve që vijnë të kërkojnë shërbime është 2,000 deri në 2,500 pacientë, mirëpo ata nuk janë të gjithë me proteza, por ka këpucë ortopedike, ka shtojca e proteza”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se janë duke pritur që të furnizohen me material të nevojshëm, pasi sipas informatave që ai ka procedurat janë kryer dhe presin furnizim.

MSH: Në vitin e ardhshëm do të ndahen 500 mijë euro

Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) kanë thënë për “Zërin” se kanë paraparë që në vitin e ardhshëm t’i ndajnë 500 mijë euro për t’i mbuluar nevojat e kësaj klinike, derisa sipas tyre, në këtë vit klinika do të ndihmohet sipas mundësive që i ka MSH-ja dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).

“Duke parë nevojat e kategorisë së viktimave civile të luftës për proteza të ndryshme të gjymtyrëve të poshtme kryesisht, MSH-ja ka parashikuar në Qarkoren Buxhetore 2019/1, 250,000 euro për pajisje të kësaj qendre me aparate të reja për punimin e protezave dhe 250,000 euro të tjera për furnizime me materiale për sigurim të protezave mbi dhe nën gju për këto kategori të popullatës”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, me këto mjete parashihet të mbulohen nevojat vjetore të kësaj qendre dhe të shfrytëzuesve të shërbimeve të saj, përkatësisht të kategorisë së viktimave civile të luftës.

“Ministria e Shëndetësisë është duke i trajtuar nevojat e Qendrës Ortoprotetike të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, kanë theksuar ata.

Veseli: Tenderi u anulua, kishte konflikt interesi

Anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) Shemsi Veseli, ka treguar për gazetën “Zëri” se në tenderin për “Furnizim me material në Klinikën Ortoprotetike” ishte gjetur konflikt interesi, andaj edhe ai ishte anuluar, me këtë rast edhe nuk kishte pasur mjete materiale për furnizim të klinikës.

“Auditori na ka tërhequr vërejtjen se personi që ka aplikuar dhe e ka fituar tenderin për furnizim ka qenë në konflikt interesi, sepse ka qenë njëri nga punëtorët e Klinikës dhe është dyshuar se ka pasur konflikt interesi dhe është bërë çështja e tenderimit në mënyrë të njëanshme dhe si rezultat i kësaj i kanë tërhequr procedurat”, ka thënë ai. Veseli ka treguar se buxheti që është ndarë për mjete jashtë Listës Esenciale ka qenë i vogël, andaj edhe nuk ka qenë e mundur që të mbulohen këto nevoja. “Protezat kushtojnë dhe realisht buxheti që është i ndarë për furnizim me materiale jashtë Listës Esenciale është i kufizuar. Ka qenë një marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë, SHSKUK-së dhe ndërkombëtarëve që të bëhet furnizim me proteza e sidomos për invalidët e luftës dhe civilët që kanë qenë të aksidentuar gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Baftiu: Buxheti më i madh, gjendja më e keqe

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, njëherësh deputete nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, ka thënë se këtë çështje e kishin diskutuar në mandatin e kaluar, megjithatë tani në përgjithësi ata kanë ngritur çështjen e mosfurnizimit të spitaleve me produkte medicinale. “Në mandatin e kaluar kemi biseduar dhe kemi pasur takim me civilët që janë invalidë dhe e di që e kanë shprehur këtë brengë se nuk ka proteza. Tani momentalisht nuk e kemi diskutuar dhe nuk e kemi pasur as si pyetje parlamentare dhe as si çështje të veçantë në Komisionin për Shëndetësi, mirëpo është diskutuar mungesa e barnave, e materialit shpenzues, mungesa e mjeteve të punës dhe brenda gjithë këtyre nuk do të thotë se nuk e kemi diskutuar edhe këtë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, pyetjet për këtë çështje do t’ia parashtrojnë ministrit të Shëndetësisë kur ai do të ftohet për raportim në Komision në muajin korrik.

“Në javën e parë të korrikut do ta kemi ministrin e Shëndetësisë në Komision dhe një ndër pyetjet do të jetë edhe kjo, të shohim se ku është problemi, ndonëse e dimë që buxheti është më i madh për shëndetësinë, por problemet po vazhdojnë pothuajse jo të njëjta, por ka dikastere çështje që janë edhe më keq, ndoshta sesa kanë qenë në mandatin e kaluar”, ka thënë ajo.

Deputetë nga pozita kërkojnë një zgjidhje nga ministri

Time Kadrijaj, anëtare e Komisionit për Shëndetësi, njëherësh deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë për “Zërin” se ajo nuk i arsyeton mungesat të cilat janë duke vazhduar në institucionet publike shëndetësore. “Klinikat dhe institucionet shëndetësore duhet të furnizohen konform me atë çfarë parashihet të furnizohet sipas Listës Esenciale, që është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë. Mungesat që po ndodhin unë nuk i arsyetoj. Ministri duhet të jetë shumë aktiv dhe t’i furnizojë në mënyrë që të mos ndërpritet puna në institucionet shëndetësore”, ka thënë ajo.

Sipas Kadrijajt, Ministria e Shëndetësisë duhet të gjejë zgjidhje për furnizim. “Ne para disa ditëve kemi pasur një deklarim ku thuhet se disa klinika i kanë mbyllur sallat e operacionit për shkak të mungesës së barnave dhe të materialit shpenzues që kërkohet për operacione. Ministria duhet të gjejë një zgjidhje dhe t’i furnizojë institucionet shëndetësore. Këto praktika të këqija të mosfurnizimit të institucioneve duhet të tejkalohen”, ka thënë ajo./ZËRI