Katër tryeza pa rezultat, nis edhe një rund i ri

Aktuale June 23, 2018 - 08:07
Lexoni më shumë detaje

Pas përfundimit të rundit të parë të tryezave të organizuara nga partitë parlamentare pritet të nisë edhe një rund i ri, në të cilin synohet që të gjitha propozimet të konkretizohen dhe të arrihet konsensusi, shkruan  sot Gazeta "Zëri".

Partitë parlamentare në Kosovë kanë organizuar së fundi katër tryeza me synimin për arritjen e konsensusit për çështjet e mëdha në vend, megjithatë kurrfarë marrëveshje nuk është arritur.

Për asnjë çështje drejtuesit e subjekteve politike nuk kanë arritur të dakordohen, duke shfaqur kështu përçarjet e mëdha që ekzistojnë në skenën politike vendore. Pas përfundimit të rundit të parë të tryezave pritet të nisë edhe një rund i ri, në të cilin synohet që të gjitha propozimet të konkretizohen dhe të arrihet konsensusi.

Reçica: Përkrahim edhe një rund të dytë të tryezave

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka deklaruar për “Zërin” se tryezat e tilla siç janë mbajtur deri më tani, ndonëse nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, janë të domosdoshme dhe kjo është e vetmja mënyrë që partitë të diskutojnë dhe të arrijnë në një përfundim të përbashkët për çështjet në interes të vendit. “Këto tryeza nuk i kanë dhënë rezultatet e dëshiruara, por unë jam ithtar i asaj që të vazhdohet me mbajtjen e tyre me një kusht që të dalin përfundime të qarta së paku për çështjet që janë në interes të vendit dhe së paku të dakordohen për çështjet që kanë qëndrim të njëjtë”, tha ai. 

Reçica beson se do të ketë edhe një rund të dytë të tryezave, ku do të tentohet të arrihet konsensusi. “Besoj që do të ketë një rund të dytë dhe në kuadër të kësaj kërkoj nga partitë që në kuadër të këtyre diskutimeve të kyçet edhe Parlamenti”, tha ai.

Gaxherri: Në rundin e dytë do të konkretizohen temat

LDK-ja, e cila ishte nismëtare e këtyre tryezave me qëllim arritjen e konsensusit për temat e rëndësishme në vend, konsideron që duhet të ketë edhe një rund të dytë të tryezave të tilla në mënyrë që të konkretizohen temat dhe të arrihet pajtueshmëria. Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri ka deklaruar për gazetën “Zëri” se në këtë rund të parë të bisedimeve mes partive politike nuk pret të ketë konsensus. Ajo tha se pret të ketë një rund të dytë ku do të konkretizohen gjërat.  

Edhe deputeti i AAK-së Blerim Kuqi për “Zërin” tha se do të ketë edhe një rund të dytë të tryezave, në të cilin do të zgjidhen temat që janë konsensus i partive politike dhe ato tema do të konkretizohen më tutje. “Pas këtyre tryezave pritet që të konkretizohen temat. Tash po përfundon seria e parë dhe pastaj duhet të konkretizohen dhe të shihet se cilat tema janë konsensus i të gjitha subjekteve politike, pra rundi i dytë do të jetë më konkret”, ka thënë Kuqi.

Kurse pas katër tryezave të mbajtura deri më tani radha për tryezën e ardhshme i mbetet AAK-së. Kuqi, duke folur për gazetën, ka deklaruar se tema e diskutimit në tryezën që do ta organizojë AAK-ja do të jetë “Reforma zgjedhore”, ndonëse Kuqi nuk ka treguar datën se kur partitë politike do të mblidhen për herë të pestë. “Temën që do ta diskutojë AAK-ja do të jetë ‘Reforma zgjedhore’. Nuk kemi një datë, duhet të dakordohemi bashkë me subjektet se kur, por tema qendrore do të jetë kjo”, ka përfunduar Kuqi.

Deputetja e PSD-së Besa Baftiu ka thënë se kjo parti nuk ka diskutuar nëse duhet të mbahet edhe një rund i tryezave, pasi po presin përfundimin e të gjitha tryezave që t’i shohin të gjitha temat. Megjithatë, ajo ka thënë se tryezat deri më tani nuk kanë prodhuar konsensusin e dëshiruar. “Asnjë nga tryezat nuk ka përfunduar me konsensus ndonëse kanë pasur tema të ndryshme. Unë mendoj se për çështje të mëdha në nivel vendi do të duhej të arrihej gjithsesi konsensusi nga subjektet politike, por një gjë e tillë nuk është duke ndodhur”, tha ajo.

Tryezat pa efekt, diskutimet të bëhen në Kuvend

Rasim Alija, nga organizata joqeveritare Demokracia për Zhvillim (D4D), tha se asnjë nga katër tryezat nuk ka prodhuar rezultat. Sipas tij, partitë politike kot mbajnë tryeza kur janë të palëkundur në qëndrimet e tyre. “Si rezultat i këtyre tryezave deri më tash nuk është arritur që të dalë si produkt asnjë dokument i vetëm mbi cilëndo çështje. Së dyti, çfarë do të mundë të prodhonin këto tryeza ndërmjet subjekteve politike kur paraprakisht ka qëndrime të palëkundura të subjekteve politike, të cilat është e pamundur që të ndryshohen ose të dakordohen nëpërmjet takimeve të tilla”, tha ai.

Alija tutje tha se do të ishte më mirë sikur këto diskutime të bëheshin në Kuvend pasi kjo do të funksionalizonte edhe shumë Kuvendin duke bërë që proceset të ecin përpara. “Do të ishte shumë më e udhës që energjia të orientohet në diskutimet ndërmjet subjekteve në Kuvendin e Republikës”, ka përfunduar Alija.

Ndërsa analisti Haki Abazi konsideron se në këto tryeza partitë politike vetëm treguan “muskujt” pa qenë të interesuar për t’i tejkaluar problemet. Edhe po të vazhdojnë tryezat sipas tij nuk do të jenë të frytshme. “Si nismë ka qenë e duhur, por u pa që në proces u degradua drejt asaj që secila parti tregoi muskujt, duke përfshirë edhe partitë e vogla. Meqenëse pozicionet e tyre ishin që t’i tregojnë muskuj e jo për të dalë me propozime konkrete për t’i tejkaluar problemet tregon se procesi po degradon në joseriozitet. Nuk mendoj që do të ketë ndonjë fryt nga këto tryeza”, ka thënë ai./ZËRI