Selvi Izeti: Viktimat e dhunës seksuale në Kosovë ishin nga mosha nëntë vjeçare

Aktuale June 22, 2018 - 21:43
Lexo tjera detaje

Selvi Izeti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka thënë se viktimat e përdhunimit në fillim të periudhës së pasluftës kishin frikë të raportonin rastet e tyre.

Ajo në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se stigmatizimi i viktimave ishte prezent në masë të madhe.

“Paraqitja e rasteve të përdhunimeve në vitet e para të pasluftës ishte i vogël për shkak të frikës nga stigmatizimi. Shërbimet tona kanë qenë më diskrete, duke e ruajtur identitetin e tyre, në mënyrë që të mbroheshin nga stigmatizimi i mëtejmë”.

Psikologja thotë se derën e hapur viktimat e përdhunimit e kishin te organizatat e ndryshme, por jo edhe te institucionet shtetërore.

“Deri vonë viktimat e dhunës seksuale nuk kanë qenë fare të mbështetur nga institucionet shtetërore, të vetmet që kanë dëgjuar zërin e tyre ishin organizatat e ndryshme joqeveritare”, thotë Izeti.

Detajet e shumta që po iu kërkohen aplikantëve për te fituar statusin e viktimës, Izeti e sheh si proces që shkakton ritraumatizim, përcjell Telegrafi.

“Procesi është me të vërtet ritraumatizues, sepse ngjarja duhet të rrëfehet në detaje sa më të hollësishme”.
Duke u bazuar në rrëfimin e viktimave, psikologja thotë se në pjesën dërrmuese të rasteve familja nuk e di se ato janë të përdhunuara.

“Rreth 90 për qind të rasteve që janë paraqitur, thonë se as familja nuk janë në dijeni, madje as burri nuk e di”, tregon ajo duke hedhur dyshime se ndoshta burrat e dinë por bëhen sikurse nuk po e dinë.

Shqetësim sipas Izetit mbetet numri i madh i aplikacioneve që janë shtuar në periudhën e fundit.

“Deri në fund të vitit 2017 kemi pasur qindra raste që janë paraqitur në organizata të ndryshme, në momentin kur filloi verifikimi i këtyre viktimave në shkurt, kishte një fluks të madh të paraqitjes së këtyre rasteve”, ka shtuar më tutje ajo.

Izeti ka treguar se ka treguar se viktimat e përdhunimit nuk janë përzgjedhur në bazë të bukurisë apo moshës.

“Kemi raste të përdhunimit nga mosha nëntë vjeçare, e kemi edhe të tjera që janë përdhunuar në moshën 60 vjeçare. Të martuara ose të pamartuara, shtatzëna etj., ato nuk janë përzgjedhur, janë përdorur si armë e luftës”, ka përfunduar Selvi Izeti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.