'Kundër liberalizimit mund të dalin Gjermania, Franca, Suedia e Holanda'

Aktuale June 22, 2018 - 11:23
Lexo detajet

Të martën ose të enjten e ardhshme pritet të publikohet raporti i Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Megjithatë, njohës të integrimeve thonë se edhe nëse KE-ja vlerëson se Kosova ka përmbushur kriterin e luftimit të krimit të organizuar e të korrupsionit dhe rekomandon heqjen e vizave Kosova mund të mbetet pa liberalizim gjatë këtij viti. Kjo pasi ata vlerësojnë se disa shtete të rëndësishme si Franca, Gjermania, Holanda e Suedia janë të rezervuara në këtë proces dhe se mund ta bllokojnë vendimin në Këshill të Ministrave, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë për “Zërin” se është bërë pak punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë.

“Sot ende, sistemi prokurorial dhe gjyqësor nuk ka shënuar asnjë fitore sa i përket  rasteve të profileve të larta, siç janë pritjet nga ana e institucionet të BE-së. Shto këtu  imazhin tonë në BE, ku vendi ynë portretizohet në gjitha raportet ndërkombëtare kredibile si vend i cili karakterizohet me sistem të drejtësisë të ndikuar nga politika. Poashtu Zhvillimet e fundit , sikur rasti i deportimit të shtetasve turq, janë zhvillime që do të dëmtojnë rëndë pozicionin  e Kosovës në Berlin, Paris dhe qendrat tjera Evropiane”, është shprehur Kryeziu, shkruan “Zëri.info”.

Ai thotë se Kosova do të duhej ta fitojë liberalizimin e vizave e kjo për hir të qytetarëve e jo të kësaj klase politike.

“Sidoqoftë, vlerësimi im është se Kosova do të duhej të fitojë liberalizimin e vizave e kjo për hir të qytetareve tanë e jo kësaj klase politike,  sepse kjo çështje tani më është shndërru në çështje të drejtave themelore, lirisë së lëvizjes dhe trajtimit të barabartë të qytetarëve tonë me vendet e rajonit”, ka shtuar ai.

Kryeziu ka thënë se pret që rekomandimi i KE-së të jetë pozitiv, por disa shtete të fuqishme mund të dalin kundër heqjes së vizave për Kosovën.

“Sa i përket raportit dhe votimit te tij, pres që Komisioni Evropian të bëjë rekomandimin pozitiv. Sidoqoftë, pres një rezistence të fuqishme të vendeve anëtare, në veçanti të shteteve si: Gjermania, Franca, Suedia dhe Holanda. Çështja e migrimit sot është shndërru në çështje kryesore të diskursit politik dhe publik në vendet e BE-së. Në vendin më të fuqishëm si Gjermania, ne po shohim një tendencë ku çështjet e migrimit mund potencialisht edhe të kolapsojnë koalicionin qeverisës në Gjermani”, ka vlerësuar Kryeziu më tej.

Në fund ai ka thënë se Kosova ka gjasa shumë të vogla për të siguruar liberalizimin e vizave këtë vit.

“Vlerësimi im është se duke pas parasysh 2 fakte kryesore: (1) që Kosova nuk ka shënuar progres në trajtimin e  rasteve të  krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit lartë, si dhe (2) duke pas parasysh mjedisin jashtëzakonisht negativ politik në BE për çështje të migrimit, Kosova ka gjasa shumë të vogla për të siguruar liberalizimin e vizave këtë vit, por së paku pres të kemi një vendimmarrje këtë vit nga ana e dy institucioneve të BE-së, Parlamentit dhe Këshillit se ndryshe do na presin skenar negativ duke ditur që 2019 është vit zgjedhjesh për parlamentin evropian dhe do kemi komisioner të rinj”, ka potencuar Kryeziu.

Në fund, ai ka thënë se “mos liberalizimi eventual i vizave me BE-në do të jetë edhe një mesazh i qartë dhe i fuqishëm i BE-së për klasën politike në Kosovë për të reflektuar në drejtim të një qeverisje në të mirë të qytetarit, ku sundimi i së drejtës është kryefjala e çdo gjëje”. /Zëri/