BE-ja, kundër rritjes së pagave për qeveritarët

Aktuale June 22, 2018 - 10:06
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Bashkimi Evropian nuk e përkrah vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar, kjo pasi, sipas shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjin e ri për nivelizimin e pagave në vend. Ajo madje ka kërkuar që Qeveria ta tërheqë këtë vendim, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka kritikuar vendimin e qeverisë “Haradinaj” për rritje të pagave të kabinetit qeveritar, duke thënë se ky vendim duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat, që është në procedim e sipër.

Ndërkohë që edhe ekspertë të ekonomisë vlerësojnë që kjo rritje e pagave e tejkalon nivelin buxhetor të Kosovës.

Sipas tyre, nëse një vendim i tillë vihet në zbatim do të rëndonte buxhetin e shtetit dhe do të ishte në shpërpushje me përpjekjet për miratimin e ligjit për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit të marrë në muajin dhjetor nga Haradinaj, paga e kryeministrit nga 1.500 euro sa ka qenë do të rritet në 2.950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1.300 euro do të bëhet 2.500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1.200 euro, ndërkaq sipas këtij vendimi tani do të jetë 2.000 euro.

Kurse mbi 70 zëvendësministra të emëruar në qeverinë “Haradinaj” do të pranojnë pagë mujore prej 1.150 eurosh.

Apostolova: Të tërhiqet rritja e pagave për qeveritarët

Shefja e zyrës së BE-së, si dhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë Natalyia Apostolova, ka reaguar dje në lidhje me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave, me ç’rast ka kërkuar që të tërhiqet një vendim i tillë.

“Shpreh keqardhjen time për këtë vendim, pasi që përgatitja e projektligjit për pagat është në proces e sipër. Ky ligj do t’i rregullojë një herë e përgjithmonë pagat që paguhen nga buxheti i Kosovës me kritere objektive dhe të drejta. Ky ligj është pjesë e procesit të reformave në administratën publike e të cilin BE-ja e mbështet”, thuhet në reagimin e Apostolovës. 

Ajo ka shtuar se vendimi i rikthyer “ad hoc” për pagat është në kundërshtim me qëllimet tona të përbashkëta për ta bërë administratën publike të Kosovës më të barabartë, meritore, koherente dhe llogaridhënëse, andaj, siç ka thënë ajo, duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat.

Në anën tjetër, nga Zyra e Kryeministrit i kanë thënë “Zërit” që vendimi për nivelizim të pagave do të vlejë derisa të vijë në fuqi ligji për pagat, përderisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e konteston kushtetutshmërinë e vendimit të Qeverisë.

Ndërsa për deklaratën e shefes së BE-së ka reaguar shefi i kabinetit të kryeministrit Haradinaj Avni Arifi, i cili i ka thënë që kjo deklaratë është e gabuar, pasi që vendimi për rritjen e pagave është legal e legjitim.

“Zyra e BE-së në Kosovë sot, duke komentuar pagat e zyrtarëve qeveritarë, e pati gabim. Kosova ndihmohet duke implementuar Marrëveshjen e garantuar për Energjinë dhe jo duke dhënë vlerësime për vendime legjitime politike gati si parti politike që synon sukses elektoral zgjedhor”, ka thënë Arifi.

Hoti: Vendimi për rritjen e pagave, shkelje e ligjit

Ndërsa ndryshe mendon shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, i cili ka thënë për “Zërin” që vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar do të duhej të bëhej vetëm përmes ligjit, pasi që çfarëdo forme tjetër është shkelje e ligjit aktual të Kosovës.

“Rritja e pagave duhet të bëhet vetëm me ligj e jo me vendime arbitrare të Qeverisë, që përbëjnë shkelje të ligjeve në fuqi dhe paraqesin konflikt të interesit”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, vendimi i Qeverisë për rritje të pagave është kundërligjor për disa arsye.

“Rritja e pagave është e rregulluar me Ligjin për Financat Publike, ku caktohet si dhe sa rriten çdo vit. Çdo qasje tjetër është shkelje e këtij ligji. Ky vendim bie ndesh edhe me Ligjin e Buxhetit për 2018-n. Është vetëm Kuvendi i Kosovës ai që ka autoritetin ta ndajë buxhetin për destinime të caktuara. Përtej këtyre ndarjeve çdo alokim tjetër është brenda limiteve të caktuara në ligjin e buxhetit dhe në ligjin për financat publike”, ka theksuar Hoti.

Sipas Hotit, ky vendim bie ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, ashtu siç e ka përcaktuar në vendimin e saj Agjencia Kundër Korrupsionit.

Vetëvendosja me kallëzim penal për rritjen e pagave të Qeverisë

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, duke folur për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar, ka bërë të ditur që partia e saj do t’i shkojë deri në fund hetimit të vendimit të Qeverisë për rritje të pagave. Ajo madje ka thënë që Vetëvendosja është duke e përgatitur kallëzimin penal për këtë çështje.

“Ne e kemi kundërshtuar vazhdimisht këtë vendim, pasi bie ndesh me ligjin, sepse buxhetin e aprovon Kuvendi e jo Qeveria, pra Qeveria nuk ka pasur kompetencë të marrë vendime të tilla dhe për më tepër kemi gjetur që buxheti ishte aprovuar dhe nuk kanë qenë mjetet e destinuara për këtë”, ka thënë Nagavci për “Zërin”.

Duke e mirëpritur deklaratën e shefes së Zyrës së BE-së, Nagavci ka thënë se vendimi për rritjen e pagave është konflikt i interesit dhe bie ndesh me Kodin Penal.

“Rritja e pagave për kabinetin qeveritar është konflikt i drejtpërdrejtë i interesit, që bie ndesh edhe me Kodin Penal, pra kryeministri dhe ministrat që kanë votuar pro rritjes së pagës mbi vete kanë shkelur Nenin e Kodit Penal, i cili e përcakton që zyrtarët publikë nuk duhet të marrin pjesë në vendime për çështje që kanë të bëjnë me interesin financiar për vete dhe për familjarët e vet”, ka thënë ajo.

Zeka: Rritja e pagave, ngarkesë e madhe e buxhetit të shtetit

Ndërsa drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, për “Zërin” ka thënë që rritja e pagave të kabinetit qeveritar është shqetësuese për faktin që përbën ngarkesë të madhe të buxhetit të shtetit të Kosovës.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj përkitazi me shpenzimet e parasë publike, në disa raste të pakontrolluara të Qeverisë, aq më tepër për rritje të pagave, që ndikon në kufizimin e buxhetit për shpenzime kapitale. Rritja e pagave për sektorin publik rrit hendekun në nivelin e pagesave ndërmjet sektorëve publikë dhe privatë, duke e bërë sektorin publik më atraktiv”, ka thënë ai.

Sipas Zekës, nëse zbatohet ky vendim për pagat do ta ngarkonte buxhetin shtetëror.

“Zbatimi i vendimit të pagave për kabinetin qeveritar dhe për pozitat e tjera të ndërlidhura me këtë vendim, si ato të gjyqësorit, do të përbënte një ngarkesë të shtuar në buxhetin e vendit, por edhe do të ishte në mospërputhje me përpjekjet për miratimin e ligjit për paga, i cili do ta rregullonte në mënyrë ligjore çështjen e pagave në sektorin publik. Vendimi për rritje të pagave duhet të jetë në përputhje me rritjen ekonomike të vendit, si dhe me kapacitetet buxhetore të Kosovës”, ka theksuar ai.