Mbi 100 pacientë presin për t’u operuar në zemër

Aktuale June 22, 2018 - 07:51
Lexo detajet

Në listë të pritjes në QKUK për ndërhyrje kirurgjike në zemër janë mbi 100 pacientë. Lista e pritjes është deri në vitin e ardhshëm. Për më keq, disa pacientë kanë vdekur derisa prisnin për t’u operuar, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Rreth 100 pacientë aktualisht janë në listë të pritjes në Klinikën e Kardiokirurgjisë për intervenime kirurgjike në zemër.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë Tefik Bekteshi javën e kaluar, kur u funksionalizua edhe një sallë operative dhe një dhomë e mjekimit intensiv në këtë Klinikë.

LEXO EDHE: Dialogu nis të dielën, Thaçi i mban temat sekret

Kjo listë e pritjes për operime në zemër përmban terminë nga janari i këtij viti, pra që më shumë se pesë muaj pacientët janë në pritje për operim, ndërsa siç është thënë për gazetën “Zëri” terminët për operim shkojnë deri në vitin 2019.

Gazeta “Zëri” ka mësuar se tetë pacientë, të cilët kishin probleme në zemër dhe që kanë qenë në lista të pritjes për operim që nga viti 2016, kanë vdekur para se t’u vinte radha për trajtim.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) muajin që lamë pas përmes një njoftimi për medie ka bërë të ditur që këtë vit në listë të pritjes për intervenime në zemër janë 120 persona.

Zyrtarë për Informim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë për “Zërin” se për operime në këtë Klinikë kanë filluar të ftohen pacientët që në këtë vit kanë bërë terminë.

“Në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive këtë vit janë realizuar mbi 900 koronografi, mbi 500 procedura intervente-stentime. Intervenimi është realizuar edhe te mbi 350 pacientë në fazën akute të infarktit të miokardit. Lista e pritjes për koronografi ka zbritur, ndërkohë që kanë filluar të ftohen pacientët të cilët kanë bërë terminët si raste joemergjente gjatë vitit 2018”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, me fillimin e shërbimeve 24-orëshe janë zvogëluar listat e pritjes për operime.

“QKUK-ja ka gjashtë kardiokirurgë. Funksionalizimi 24-orësh i Shërbimit të Kardiokirurgjisë me kardiologji invazive në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka bërë që vëllimi i punës të rritet dukshëm dhe të shënohen rezultatet që kanë reduktuar listat e pritjes”, kanë theksuar ata.

Zyrtarë në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së kanë treguar për gazetën “Zëri” se presin që në këtë vit të hiqen listat e pritjes për operime kardiokirurgjike, derisa kanë treguar se nga puna që është bërë në këtë Klinikë janë kursyer 3.5 milionë euro e që më parë shkonin për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Po ashtu është hapur edhe salla e dytë e mjekimit intensiv me katër shtretër. Janë duke u bërë përgatitje intensive për hapjen e sallës së dytë të kateterizimit (angiografi- koronografi i ri), funksionalizimi i saj pritet brenda muajve të ardhshëm. Menaxhmenti po punon intensivisht që brenda këtij vitit të hiqet lista e pritjes për operime kardiokirurgjike, po ashtu edhe për koronografi e tentim”, kanë thënë ata.

MSH: Është reduktuar lista e pritjes

Javën e kaluar është funksionalizuar edhe një sallë operative dhe një dhomë e mjekimit intensiv në Kardiokirurgji, e cila kishte vetëm një sallë operative.

Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) kanë thënë për “Zërin” se

Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive janë prioritet i lartë i Ministrisë.

“Funksionalizimi i shërbimeve shëndetësore që kanë rëndësi të veçantë, në këtë mes edhe Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive, janë prioritet i lartë për MSH-në. Për këtë qëllim së bashku me SHSKUK-në është investuar në ngritjen e kuadrit profesional dhe të krijimit të infrastrukturës së nevojshme për shërbime 24-orëshe në këto dy shërbime. Së fundi është bërë edhe hapja e dy sallave të reja: sallës së dytë operative dhe sallës ose njësisë së dytë të kujdesit intensiv në Kardiokirurgji, për herë të parë në këto shërbime”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, ata kanë si tendencë eliminimin e plotë të listave të pritjes.

“Pas përurimit të sallës së dytë të operimit dhe sallës së dytë të mjekimit intensiv në Kardiokirurgji është rritur vëllimi i punës dhe është reduktuar lista e pritjes për një kohë shumë të shkurtër, me tendencën e eliminimit të plotë”, kanë thënë ata.

Zyrtarët për Informim kanë treguar se SHSKUK-ja ka mundësi të rekrutojë specialistë sipas nevojave që janë në këtë Klinikë dhe në klinikat e tjera.

“MSH-ja ka krijuar mundësi që SHSKUK-ja të rekrutojë specialistë të fushave mjekësore sipas nevojave që i kanë klinikat e saj. Kjo me qëllim të ngritjes së vëllimit dhe të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, kursimit të buxhetit dhe eliminimit të listave të pritjes për shërbime në Kardiokirurgji dhe në Kardiologji Invazive”, kanë theksuar ata.

Për më shumë, Ministria e Shëndetësisë këtë vit në QKUK ka punësuar edhe dy specialistë kardiokirurgë.

Veseli: Presim që në fillim të vitit 2019 të mos ketë më listë pritëse

Anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka thënë se nëse në QKUK vjen edhe aparatura e angiografit, e cila trajton sëmundjet e zemrës, listat e pritjes do të jetë shumë më të vogla.

“Është normale që nëse do të vinte me kohë ndikimi do të ishte i tërësishëm, pra do të përfitonin pacientët, pastaj edhe SHSKUK-ja. Unë sa jam i njoftuar si anëtar i Bordit, procesi ka përfunduar dhe presim që brenda këtyre ditëve të vijë angiografi. Nga aspekti i dhënies së shërbimeve lista pritëse do të ishte shumë më e vogël”, ka thënë ai.

Sipas tij, kur të vijë kjo aparaturë lista e pritjes do të përfundojë deri në vitin 2019.

“Kur të vijë koniografi dhe angiografi jam i bindur që më nuk do të ketë pritje, së paku në vitin 2019 do të përfundojë dhe jam i bindur që fillimi i vitit 2019 nuk do të ketë asnjë listë pritëse, përkundrazi pacienti që do të vinte do të futej menjëherë në sallë”, ka theksuar ai.

 Veseli ka shtuar se për shkak të kushteve jo të mira ekonomike pacientët nuk mund të shkojnë në spitalet private, andaj edhe listat pritëse kanë qenë më të gjata.

Ndërsa në lidhje me listat e pritjes për intervenime në zemër SHSKUK-ja muajin që lamë pas, përmes një njoftimi për medie, ka bërë të ditur se që nga viti 2015 në listë të pritjes kanë qenë 406 pacientë.

“Lista e pritjes nga 406 pacientë me pritje nga viti 2015 është reduktuar. Tani janë në pritje 120 pacientë nga janari i këtij viti (2018). Gjatë këtij viti në Shërbimin e Kardiokirurgjisë janë kryer 80 operime, ndërkohë nga fillimi i punës së menaxhmentit të ri 100 operimet e para elektive (jourgjente) pa vdekje, 0% mortalitet”, thuhej në njoftimin e tyre.