Dialogu nis të dielën, Thaçi i mban temat sekret

Aktuale June 22, 2018 - 07:45
Lexo detajet

Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq të dielën do të takohen në Bruksel, me ç’rast pritet të nisë faza finale e dialogut. Megjithatë, dy ditë para takimit i pari i shtetit të Kosovës nuk ka bërë të ditur se cilat tema do të diskutohen në kryeqendrën evropiane. Në anën tjetër, monitoruesit e dialogut thonë se nisja e kësaj faze pa një konsensus të gjerë politik mund ta rikthejë në Kuvend skenarin e Demarkacionit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse pas dy dite (të dielën) pritet të nisë faza finale e dialogut me Serbinë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk i ka bërë publike temat që do të diskutohen në këtë fazë, ndonëse pikërisht ai do ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces.

Monitoruesit e dialogut konsiderojnë se shkuarja e Thaçit në Bruksel njëanshëm, pa u arritur një konsensus i gjerë politik, mund t’ia kthejë Kosovës sërish skenarin e Demarkacionit, shkruan më tutje "Zëri". 

Sipas tyre, po qe se kjo fazë përfundon ashtu siç po nis, pa një dakordim të gjerë, marrëveshja finale Kosovë – Serbi, e cila kërkon 80 vota për t’u miratuar në Kuvend, mund të marrë disa vjet për t’u miratuar, siç kishte ndodhur me Demarkacionin me Malin e Zi.

Teksa ka folur për këtë proces ish-kryenegociatorja e palës kosovare, Edita Tahiri, ka thënë për “Zërin” se arritja e një konsensusi të gjerë politik është jetike për fazën përmbyllëse të negociatave me Serbinë.

E pavarësisht se ende nuk janë bërë publike temat për të cilat do të diskutohen në këtë fazë, Tahiri ka thënë se njohja reciproke, demarkimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë e reparacionet e luftës janë vetëm disa prej pikave kryesore që do të mundë të diskutohen në këtë fazë.

Tahiri: Pesë pikat për të cilat mund të diskutohet në fazën finale të dialogut

Faktin që së shpejti pritet të nisë faza finale e dialogut mes Kosovës e Serbisë ish-kryenegociatorja e palës kosovare Edita Tahiri e ka vlerësuar tejet të rëndësishëm.

Sipas saj, ekziston mundësia që të arrihet një marrëveshje historike mes të dyja vendeve, porse ajo mund të quhet e tillë vetëm nëse sjell njohjen reciproke mes të dyja vendeve.  

Në tërë këtë proces sipas saj, është tejet e rëndësishme që të arrihet një konsensus i gjerë politik.

Duke folur për temat që mund të diskutohen në këtë fazë, Tahiri ka bërë të ditur se ajo si ish-kryenegociatore më 2014-n ia kishte dorëzuar një platformë BE-së, ku renditeshin pesë temat kryesore për të cilat do të mundë të shtroheshin në tavolinë në fazën përmbyllëse.

“Pika e parë është njohja reciproke mes dy shteteve, pika e dytë është demarkacioni i kufirit mes dy shteteve, e treta ka të bëjë me reparacionet e luftës, pra Serbia duhet t’i bëjë kompensimet e luftës që ia ka shkaktuar Kosovës, ku ndër pikat kryesore është çështja e të pagjeturve, pastaj çështja e dhunimit të grave të luftës, dëmet e tjera materiale e kulturore”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkaq, pika e katërt siç ka bërë të ditur Tahiri, kishte qenë suksesioni ose ndarja e pasurisë mes dy shteteve, që 1/8 e pasurisë së Jugosllavisë t’i takojë Kosovës. Kurse e fundit, që të vendosej një bashkëpunim mes dy shteteve mbi parimet evropiane dhe euroatlantike.

“Janë dorëzuar si dokument në Bruksel dhe jam e bindur që edhe tash nëse do të bëhet një platformë do t’i ketë këto pesë temat kryesore”, ka nënvizuar ajo gjatë bisedës.  

Kurti: Që të rrojë Thaçi duhet të rrojë dialogu me Serbinë

Ndërkaq kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vlerësuar se Kosova nuk i ka formuluar as qëllimet, as parimet e kërkesat ndaj Serbisë për fazën finale. “Krerët e institucioneve nuk e thonë as që synojmë e as që e kërkojmë njohjen e pavarësisë dhe dëmshpërblimin nga Serbia”, ka thënë dje Kurti.

Arsyeja pse presidenti nuk ka caktuar ndonjë afat se kur mund të përfundojnë këto negociata sipas Kurtit, ka të bëjë kryekëput me të ardhmen e tij politike.

“Presidenti Thaçi nuk mendoj që do ta përfundojë asnjëherë dialogun me Serbinë për shkak se dëshiron ta fillojë atë pa afate. E këtë e bën meqenëse jeta politike, posti zyrtar dhe liria personale varen nga ai dialog. Duhet të rrojë dialogu me Serbinë që të rrojë Thaçi”, ka potencuar lideri i LVV-së.

Haxhiu: Opozita të reflektojë, ta japë kontributin për dialogun

Kurse Teuta Haxhiu, deputete e koalicionit qeverisës AAK, ka thënë se partitë politike nga opozita duhet të reflektojnë dhe të merren vesh për fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Të gjitha subjektet duhet të reflektojnë që të marrin pjesë dhe ta japin kontributin e vet në procesin e dialogut. Nuk është interes i individit dhe nuk duhet të jetë. Prandaj nuk e di se si ta parashikoj, por edhe një herë them se përgjegjësia më e madhe do të duhej të ishte e opozitës që të merrte pjesë. Kjo pasi kur jemi bashkë pa dyshim është edhe rezultati”, ka deklaruar ajo.

Megjithëkëtë, Haxhiu është shprehur skeptike nëse mund të arrihet një konsensus i gjerë politik rreth kësaj çështjeje.

Gaxherri: Faza finale të mos udhëhiqet as nga kryeministri e as nga presidenti

Porse deputetja e LDK-së Besa Gaxherri ka vlerësuar se faza finale nuk mund të udhëhiqet as nga presidenti e as nga qeveria aktuale. Sipas saj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të vijë një qeverisje e re e cila do të mundë ta drejtonte këtë proces.

“Në dialogun me Serbinë nuk mund të shkojë as kryeministri, që e ka pakicën në Kuvend dhe nuk mund të shkojë as presidenti sepse nuk është i mandatuar nga Kuvendi. Prandaj e vetmja zgjidhje e këtij problemi është që të shkojmë në zgjedhje dhe pastaj sovrani vendos se kush duhet të shkojë ta përmbyllë dialogun me Serbinë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”. 

Pavarësisht se faza finale pritet të nisë zyrtarisht këtë të diele, Gaxherri ka thënë se Thaçi nuk do ta drejtojë këtë fazë, ndonëse ai mund të diskutojë me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq.

Haxholli: Mosarritja e konsensusit mund ta rikthejë skenarin e Demarkacionit

Në anën tjetër Violeta Haxholli, hulumtuese në projektin për dialog në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se nuk është pozitiv fakti që presidenti do të shkojë të dielën në Bruksel pa u arritur një konsensus i gjerë politik. Sipas saj, Thaçi po vepron njëanshëm lidhur me fazën finale të negociatave me Serbinë.

“Ai po lidh disa lloj marrëveshje atje, për të cilat edhe nuk po është transparent se çka parashohin ato marrëveshje”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkohë ka konsideruar se nuk duhet në asnjë rrethanë që në Bruksel të diskutohet për çështjet e brendshme të Kosovës.

Njëra ndër arsyet pse duhet të arrihet një konsensus dhe një pajtim i gjerë nacional për këtë fazë sipas saj, është pasi marrëveshja që pritet të arrihet atje duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës dhe të ratifikohet në Kuvend me 2/3 e votave. Në të kundërtën sipas saj, mund të përsëritet skenari i Demarkacionit me Malin e Zi, për të cilin u deshën tre vjet për ta ratifikuar në Kuvend.

“Të njëjtin skenar mund ta shohim edhe me marrëveshjen me Serbinë nëse paraprakisht nuk ka një pajtim se çka duhet të diskutohet dhe çfarë marrëveshje ne duhet të bëjmë me Serbinë në këtë fazë, në mënyrë që ajo të ratifikohet”, ka shtuar ajo.