Gjermania dritë jeshile për Shqipërinë

Aktuale June 21, 2018 - 21:20

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, është pritur sot në Berlin, në një takim të veçantë, nga homologu i tij, Ministri i Brendshëm Federal i Gjermanisë, Horst Seehofer.

Seehofer, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm Federal, por edhe si President i Partisë CSU, deklaroi se “i ka dhënë dritën jeshile Kancelares Federale dhe Ministrisë së Jashtme për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

Në referim të mbështetjes së vazhdueshme të Gjermanisë Xhafaj evokoi veprimtarinë e ish-kryeministrit të Bavarisë, Franz Josef Strauss i cili, rreth 35 vjet më parë bëri përpjekje për t’i hapur Shqipërisë një dritare drejt Evropës.

“Sot, me progresin e gjithanshëm, është momenti i duhur që Gjermania të jetë në pararojë të shteteve që mbështesin Shqipërinë në rrugëtimin e saj për t´ju bashkuar familjes evropiane”, u shpreh Ministri Xhafaj.

Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan mbi çështjet aktuale si: migracioni i paligjshëm, çështjet e menaxhimit dhe kontrollit të kufirit, si dhe atë të azil kërkuesve shqiptarë në Evropë.

Gjithashtu, Ministri Xhafaj njohu Ministrin Seehofer me arritjet dhe progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën e integrimit evropian, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.