Thaçi merr mirënjohje nga përfaqësuesit e komunitetit egjiptian në Kosovë

Aktuale June 21, 2018 - 12:51
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për nder të “Javës Egjiptiane” dhe 24 Qershorit, Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian në Kosovë, ka pritur një delegacion të këtij komuniteti, të udhëhequr nga Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, njëherësh Kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, transmeton “Zëri.info”.

Pjesë e delegacionit të komunitetit egjiptian ishin edhe Dr. Zahi Hawass, ish-ministër dhe arkeolog nga Egjipti, si dhe Noureldin Eltamimy, përgjegjës për dosjen e egjiptianëve.

Thaçi ka theksuar se komunitetet e Kosovës janë vlerë për Kosovën dhe përsëriti përkushtimin e institucioneve të shtetit të Kosovës për të akomoduar të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ndërsa, anëtarët e këtij delegacioni nga Egjipti, Thaçi i falënderoi për njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e shtetit tonë.

“Egjipti është shtet mik i yni dhe jemi mirënjohës për përkrahjen që na keni dhënë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke falënderuar presidentin Thaçi për përkrahjen për komunitetin egjiptian në Kosovë, deputeti Berisha i dhuroi në emër të komunitetit edhe një mirënjohje për kontributin e tij.

“Të falënderoj për çdo gjë që ke bërë për komunitetin tonë”, u shpreh deputeti Berisha.

Pjesë e delegacionit ishin edhe aktivistja Mirlinda Hoti, Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Isa Osmani, Zëvendësministri i MAPL-së, Bashkim Krasniqi, Zëvendësministri i MASHT-it, Artan Berisha dhe Shemsi Kopliku, aktivist nga diaspora.Image