Një tjetër përpjekje për anëtarësim në INTERPOL

Aktuale June 21, 2018 - 08:45
Lexoni më shumë detaje

Autoritetet në Prishtinë besojnë se Kosova këtë vit do të bëhet anëtare e organizatës policore ndërkombëtare, INTERPOL.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, janë duke punuar dhe duke bërë të gjitha përpjekjet për anëtarësimin e vendit në INTERPOL.

"Është bërë një lobim i mjaftueshëm. Besojmë fuqishme se institucionet e Kosovës do të kyçen në institucionin më të rëndësishme të sigurisë në Evropa, në INTERPOL. Do të thotë se nuk kemi dilema se ketë vit kjo çështje po përmbyllet”, tha Zeka.

“Ne edhe vitin e kaluar kemi pasur mundësi të mira, por duke parë se një numër i shteteve kanë lëvizur në qëndrime, andaj e kemi shtyrë për një vit dhe kështu pra, besojmë që çështja e INTERPOL-it do të përmbyllet", tha Zeka.

Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Kosovës kanë njoftuar se Këshilli Ekzekutiv i Interpolit në Lion të Francës, tashmë e ka vendosur Kosovën në agjendë për t’u anëtarësuar këtë vit në këtë organizatë.

Zëvendësministri, Zeka tha se pas aplikimit për të qenë pjesë e agjendës, procedurat e tjera janë të thjeshta dhe teknike. Megjithatë, shtoi ai, deri në ditën kur pritet të votohet për anëtarësim, institucionet dhe mekanizmat e ndryshme bashkë me aleatët do të lobojnë që Kosova të ketë vota e mjaftueshëm për anëtarsim.

"Kemi biseduar me akteret kryesor, dhe ata janë të gatshme që ta përkrahin Kosovën. Ne jemi fuqishëm afër me mekanizmat ndërkombëtar, me fuqitë që janë të vendosura duke u nisur nga SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe shtetet tjera që kanë ndikim, por ne nuk kemi ndalur lobimin", tha Zeka.

Sipas tij, Serbia e cila është munduar ta ndal inkuadrimin e Kosovës në mekanizma e institucione të ndryshme ndërkombëtare, tashmë nuk e ka ndikimin që mund ta ketë pasur, pasi që shumë shtete janë në anën e Kosovës për ketë çështje..

Edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Shala beson se Kosova këtë vit do të bëhet anëtare e Policisë Ndërkombëtare apo INTERPOL-it.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës janë duke punuar në ketë drejtim, por deri në kohën kur do të votohet për anëtarësim, duhet të punohet fuqishëm.

"Është një ekip i cili është duke punuar. Në atë ekip kemi edhe një përfaqësues nga komisioni ynë parlamentar për punë të brendshme. Deri sot, në bazë të punës që po bëhet për lobim në të gjitha institucionet e botës që janë anëtare të INTERPOL-it, unë besoj se Kosova deri në fund të vitit do të anëtarësohet në INTERPOL”, theksoi Shala.

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit do të mbahet në nëntor të këtij viti në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kosova kishte aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në mekanizmin ndërkombëtar policor, INTERPOL.

Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin.

Por, nga pasiguria se do të siguronte votat e mjaftueshme për pranim, kishte tërhequr kandidaturën.

Ndërkohë, Palestina dhe Ishujt Solomon ishin pranuar në këtë organizatë. /REL/