Familja e imamit kërkon falje publike ndaj kryeministrit Haradinaj

Aktuale June 20, 2018 - 14:52
Lexo detajet

Familja e imamit Bedri Bytyqi, që u bëri thirrje të gjithë hoxhallarëve të mos marrin pjesë në varrimin e babait të kryeministrit Haradinaj, ka kërkuar falje për fjalët e imamit. Ata në një letër publike shprehen se ishin të shokuar me deklaratë e djalit të tyre.

Familja e imamit të xhamisë në fshatin Fortesë të Rahovecit, Bedri Bytyqi, i ka kërkuar falje publike familjes Haradinaj. Ata e kanë quajtur të pamatur deklaratën e anëtarit të familjes së tyre, ndërsa janë distancuar nga fjalët e imamit. 

"Kërkim falje publike

Ne familja Bytyçi, farefisi nga Shkoza, i kërkojmë falje publike familjes Haradinaj, nga Gllogjani, për postimin e një deklarate të pamatur të anëtarit të familjes sonë, disa ditë më parë. Ne si familje, distancohemi nga deklarata e anëtarit të familjes sonë bërë më 17 qershor, ditën që familja Haradinaj, njoftoi për vdekjen e më të dashurit të tyre. Krahas kësaj kërkim falje, paksa me vonesë për shkak të shokimit nga deklarata që na ka shqetësuar rëndë edhe neve si familje, ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe farefisit Haradinaj, për vdekjen e më të dashurit të tyre, Hilmi Haradinaj.

Me respekt, familja Bytyçi, nga Shkoza e Malishevës"