Osmani ka disa fjalë për takimin Thaçi-Vuçiq

Aktuale June 20, 2018 - 12:32

Presidenti Thaçi, nuk mund ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në fazën finale me shtetin serb, sepse ai nuk është i mandatuar nga Kuvendi.

Kështu ka potencuar për “Gazeta Blic”, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Unë e kamë thënë edhe më parë, se pa qenë i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës, Thaçi vetëm mundet të flas në emër të tij personal dhe jo në emër të Republikës së Kosovës, kjo është e thjesht. Edhe sikur të mos kishte bërë asnjë gabim në të kaluarën, vet fakti se ai po vepron kështu do të duhej të ishte faktor i mjaftueshëm për partitë politike për ta përjashtuar këtë figurë nga ky proces”, është shprehur Osmani për “Gazeta Blic”.

Deputetja Osmani, tha se presidenti Thaçi me veprimet e tij po tregon që është jo serioz, dhe që udhëheqjen e këtij dialogu ai e sheh si shpëtim për fatin e tij politik.

“Ai po tregon jo seriozitetin e tij, po tregon mungesën e përgatitjes së tij, dhe po ashtu po dëshmon që ai këtë proces e sheh si shpëtim për fatin e tij politik, sesa si proces nga i cili duhet të nxjerrë më të mirën për Kosovën”, përfundoi deklaratën Osmani.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, presidenti Thaçi në një konferencë për media ka deklaruar së do të shkojë në Bruksel që ta takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Ai pohoi se ky takim do të jetë i pari i fazës finale, dhe që tash është koha që të arrihet një marrëveshje historike mes dy shteteve.

Thaçi po ashtu ka potencuar se këtë fazë finale po e mbështesin SHBA dhe BE.

Takimi  Thaçi- Vuçiq do të zhvillohet ditën e diele (24 qershor) në Bruksel.