Hamiti: Veprimi i Thaçit, antikushtetues

Aktuale June 20, 2018 - 10:24
Lexo tjera detaje

I nominuari i LDK-së për anëtar të KQZ-së, Sami Hamiti, ka thënë se vendimi i Presidencës për ta pranuar vetëm nga një anëtar nga partitë opozitare në KQZ është i papranueshëm dhe antikushtetues, shkruan Gazeta "Zëri".

“Kushtetuesja ka marrë një vendim më 2014-ën që njeh ato grupe parlamentare që janë të certifikuara para zgjedhjeve. Në këtë rast janë tri grupe parlamentare, PAN-i, LDK-ja dhe LVV-ja. Kështu sipas Kushtetutës, të tri subjekteve u takojnë nga dy anëtarë. Unë konsideroj se thirrja e nga një anëtari nga LDK-ja dhe LVV-ja është joligjore dhe jokushtetuese, sepse zgjedhjet e kanë prodhuar atë strukturë”, ka deklaruar ai për “Zërin”. 

Sipas Hamitit, zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së do të duhej të bëhej 60 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nacionale, të mbajtura në qershor të vitit të shkuar.

“Ligji e thotë qartë që 60 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve nacionale bëhet struktura e re, në këtë rast zgjedhjet kanë provuar të jenë gjashtë anëtarë të KQZ-së nga shumica shqiptare, nga dy prej subjekteve, pra dy të PAN-it, dy të LDK-së dhe dy të Vetëvendosjes”, ka shtuar ai.

Pos Hamitit, i cili është ftuar nga Presidenca për ta dhënë betimin për anëtar të KQZ-së, LDK kishte nominuar edhe Florian Dushin për anëtar të këtij institucioni, mirëpo ai nuk është ftuar nga Zyra e Presidentit.