Në pritje të Fondit Pensional nga Serbia

Aktuale June 20, 2018 - 09:14
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Çështja e kthimit të Fondit Pensional të Kosovës nga Serbia, mund të përfshihet në kuadër të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Shteti i Serbisë kishte ndalur kontributet e pensionistëve të Kosovës nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Që nga atëherë, pensionistët e periudhës para vitit 1999 nuk kanë arritur të marrin paratë e tyre nga ky fond, ndërkohë që, sipas Shoqatës së Pensionistëve, tashmë një numër i konsiderueshëm edhe kanë ndërruar jetë dhe mbetet diskutabile edhe çështja e trashëgimit të pensionit.

Sipas vlerësimeve të përafërta që prezantohen nga shoqatat e pensionistëve, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës, i cili është marrë nga Serbia, arrin vlerën mbi dy miliardë euro.

Më gjithë përpjekjet e përfaqësuesve të pensionistëve, disa nga pensionistët nuk presin që ky fond mund të kthehet në Kosovë.

Pensionisti 68-vjeçar, Feriz Berisha me profesion jurist, thekson se një numër i madh i pensionistëve tashmë kanë ndërruar jetë. Për këtë, Berisha shprehet se autoritet kompetente gjatë angazhimit të tyre duhet të sigurojnë që me kthimin eventual të fondit nga Serbia, të njihet edhe e drejta e trashëgimit nga anëtarët e familjes, për faktin se shumë pensionistë deri atëherë mund të mos jetojnë më.

“Prandaj, këtu institucionet tona në radhë të parë, edhe me ndihmën e ndërmjetësve ndërkombëtarë, duhet të zgjidhin këtë çështje, në mënyrë që këto kontribute t’iu kthen njerëzve që u takojnë”, thotë ai.

Sipas Shoqatave të Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore Serbia ka marr Fondin Pensional, numri i pensionistëve është llogaritur të jetë mbi 89 mijë.

Ndërkaq, sipas tyre, janë rreth 50 mijë pensionistë, të cilët presin realizimin e të drejtës së tyre për kompensimin e pensioneve.

Shaban Kelmendi, këshilltar në Federatën Sindikale të Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve te Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kompetente në Kosovë nuk janë treguar të vëmendshme karshi këtij problemi.

Kelmendi nuk e përjashton mundësinë që zgjidhja e çështjes së kompensimit të pensioneve të tyre të shqyrtohet në dialogun Kosovë –Serbi, por, ai megjithatë, insiston që kjo çështje të zgjidhet përmes Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“Rreth 43 mijë euro duhet t’i marr gjithsecili pensionist i Kosovës. Nëse pensionisti është gjallë mjetet i merr vetë, nëse ka vdekur pensionin e merr bashkëshortja. Nëse ka vdekur edhe bashkëshortja, paratë i merr anëtari i familjes së ngushtë që është kujdesur për të”, shprehet Kelmendi.

Në anën tjetër, Bahri Xhaferi drejtor i Departamentit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se kjo çështje i tejkalon kompetencat e kësaj ministrie. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Xhaferi shprehet se çështja e kthimit të Fondit Pensional nga Serbia duhet të iniciohet nga ekipet përkatëse negociuese në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Ne e konsiderojmë si pronë pensionin kontributpagues të realizuar nga ana e tyre. Për këtë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pret që në një periudhë kohore të caktuar të fillojnë bisedat për kthimin e pagesave të pensioneve nga shteti i Serbisë”, thotë Xhaferi.

Ndryshe, kohë më parë, me anë të një vendimi të Gjykatës së Strasburgut, Qeveria e Serbisë, kishte hartuar “planin aksional për zgjidhjen e problemit të pagesës së pensioneve në territorin e Kosovës”.

Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë kishte nxjerrë një dokument, përmes së cilit njoftohen pensionistët e Kosovës për mundësinë e kompensimit të tyre dhe mënyrën e aplikimit.

Edhe pse me mijëra pensionistë kishin aplikuar në këtë fond, shumica e kërkesave janë kthyer apo kanë marrë përgjigje negative. /Rel