Haxhiu: Është turp që përmendorja e Adem Jasharit nuk është në Prishtinë

Aktuale June 19, 2018 - 21:11
Lexo detajet

Të turpshme e ka quajtur mungesën e një përmendoreje të Komandantit Legjendar Adem Jasharit në kryeqytetin e Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Ai ka deklaruar se është turp për kryeqytetin që edhe 19 vjet pas luftës Prishtina nuk e ka një përmendore të komandantit legjendar Adem Jashari.

“Jemi duke bërë investime në rregullimin e një sheshi, e i cili do të duhej të ishte Sheshi “Adem Jashari” dhe ajo përmendorja e kohës së komunizmit do të duhej të zëvendësohej me përmendoren e heroit kombëtar Adem Jashari. Është turp, ama bash turp për kryeqytetin e Republikës së Kosovës 19 vjet pas lufte mos me e pas një përmendore të Adem Jasharit këtu”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ali Lajçi ka thënë se është koha e fundit që kryeqyteti të vendos një përmendore të komandantit Adem Jashari.

Këto komente deputetët i kanë bërë gjatë shqyrtimit të Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017. /Express