Mungesa e parkingjeve 'bllokon' lagjen ‘Ulpiana'

Aktuale June 19, 2018 - 18:46
Vetura të parkuara jashtë vendparkimeve shkaktojnë tollovi, ky është paralajmërimi i policisë

Banorët e lagjes Ulpiana në Prishtinë, pothuajse për çdo ditë po hasin në vështirësi nga vetura të cilat me lehtësi po parkohen vend e pavend në këtë pjesë të kryeqytetit, transmeton “Zëri.info”.

Në fotografi të dërguara në “Zëri.info” nga qytetarë të kësaj lagjeje, në vendin e njohur prapa “Lesnës” në këtë lagje, në mungesë të parkingjeve shihen vetura të parkuara në trotuare, në pjesët tjera me gjelbërim si dhe në hyrje të banesave, të cilat nga pronarët e tyre duket se nuk kanë konsideratë as për banorët e kësaj pjesë të cilët qarkullojnë në këmbë.

Qytetarë të kësaj pjese thonë se edhe pse shpesh herë janë ankuar në organet përgjegjëse, deri më tani nuk kanë marrë ndonjë masë për pronarët e këtyre veturave.

Në anën tjetër, policia e Kosovës, thotë se Njësia e Trafikut në çdo kohë i bënë kontrollet e vazhdueshme kudo që është e nevojshme.

Major Milaim Fejzullahu, shef i Trafikut në Prishtinë, ka thënë për “Zëri.info”, se në pamundësi që t’i mbulojnë të gjitha pjesët e parkingjeve në brendi të secilës lagje, policia ka nevojë për informacione nga qytetarët.

“Mund të them me përgjegjësi të plotë që në çdo vend ku është me shenjë të trafikut e ndaluar, ne si Njësi e Trafikut e bëjmë kontrollon në çdo kohë dhe në çdo vend ku është e nevojshme si dhe në bazë të informacioneve që na i ofrojnë qytetarët”, ka thënë Fejzullahu.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se në këto parkingje veprohet me dy njësi.

“Kemi nevojë për prezencë policore, kemi nevojë edhe për ndërhyrje të patrullave në mënyrë që çdo gjë të pastrohet dhe ne në situata të tilla të veprojmë me planë konkret”, ka thënë tutje Fejsullahu.

Fejzullahu mungesën e patrullimit të organeve policore në këto pjesë të kryeqytetit e ka arsyetuar me angazhimet e shumta që kanë në teren.

“Mundet me ndodhë që nganjëherë kemi vonesa për shkak të angazhimeve të shumta, si aksidenteve të ndryshme si dhe ngarkesave në trafik, por informatat që rrjedhin prej qytetarëve çdo herë janë të mirë se ardhura dhe ne në çdo kohë jemi të obliguar të veprojmë”, ka përfunduar ai. /Zëri

Image 
Image 
Image 
Image 
Image