Hoxha: Presim rekomandim pozitiv për vizat nga KE-ja

Aktuale June 19, 2018 - 16:56
Lexo detajet

Me publikimin e rekomandimit nga Komisioni Evropian (KE), i cili do të ndodhë në fund të këtij muaji, do të bëhet e qartë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kështu ka deklaruar ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, e cila në një intervistë për “Zërin” është shprehur e bindur se ky proces do të finalizohet përgjatë këtij viti. 

Sipas të parës së MIE-së, nga dita e marrjes së sinjalit pozitiv për liberalizim nga KE-ja procedurat e miratimit në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave mund të marrin kohë 3 deri në 6 muaj. Lidhur me çështjen e vizave ajo ka bërë të ditur se si ministre bashkë me krerët e tjerë institucionalë janë duke lobuar te vendet që janë skeptike rreth liberalizimit për Kosovën. 

"Presim gjithsesi vlerësim pozitiv dhe vijim të procedurës për liberalizimin  e vizave, duke kaluar në instancat tjera vendimmarrëse. Gjatë qershorit presim se do të jepet vlerësimi dhe presim t’i përmbajë të arriturat e institucioneve tona të luftës ndaj krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Rastet e shënjestruara në procedura gjyqësore janë gjithsej 43, gjenden në nivele të ndryshme të procedurave dhe konsiderojmë se janë në rrugë të mirë të finalizimit të tyre, në nivele të ndryshme", ka thënë ministrja Hoxha në një intervistë për "Zërin".