37 parcela të Komunës së Prishtinës shfrytëzohen nga bizneset pa kompensime

Aktuale June 19, 2018 - 12:01
Detajet

Raporti i Auditimit të Përgjithshëm, ka gjetur disa parregullsi në qeverisjen në Prishtinë e ku ndër to është edhe ajo e shfrytëzimit të 37 parcelave të komunës me rreth 6 hektarë e që shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës, shkruan “Zëri.info”.

“Në vitin 2014 komuna kishte bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat që janë në pjesën e quajtur “Zona Industriale”9. Të paktën 37 parcela të kësaj zone me rreth 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës. Sipas Drejtorisë së Pronës në komunë, këtë vit ka filluar të shqyrtojë mundësinë e gjenerimit të të hyrave nga parcelat e kësaj zone”, thuhet në raportin e Auditimit të Përgjithshëm.

Po ashtu në këtë raport është ngritur çështja e mundësisë së manipulimit me këto prona nga këto biznes.

“ Lënia e pronave komunale në shfrytëzim të bizneseve pa marrëveshje/kontratë dëmton të hyrat e komunës dhe rrit rrezikun që shfrytëzuesit të manipulojnë me ato prona”, thuhet tutje në raport.

Sipas raportit kryetari duhet që të nënshkruaj marrëveshje me bizneset që shfrytëzojnë pronat për kompensimin e tyre.

“Kryetari, duhet të rishikoj shkakun e shfrytëzimit të pronave pa kompensime dhe të marrë veprime për të nënshkruar marrëveshje me bizneset/shfrytëzues të pronave për kompensimin e tyre”, thuhet në raport. /ZËRI