‘Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e pengojnë liberalizimin’

Aktuale June 19, 2018 - 10:49
Mësojeni se kush thotë kështu

Pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk do të paraqesin asnjë problem në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kështu ka thënë në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri”, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

LEXO EDHE: Hoxha: Vizat hiqen sivjet

“Jo, pesë shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë nuk do të mundë ta pengojnë as liberalizimin e as procesin tonë integrues. Nëse do të mundë ta pengonin ose të shfaqnin orientime penguese deri më tani do të shfaqnin pengesa. Duhet të theksojmë se këto vende e kanë përkrahur deri më tani Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe disa nga këto vende kanë qenë shumë pragmatike e përkrahëse, prandaj nuk presim që do të mohonin lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, e drejtë kjo themelore e mohuar qe sa vite. Liberalizimi i vizave ishte çështje kryekëput e lidhur me funksionimin e brendshëm të shtetit tonë dhe ne këto kritere i kemi përmbushur, 95 sosh që i kemi pranuar në Udhërrëfyesin në vitin 2012, pra të gjitha janë të realizuara, andaj nuk shoh këtu pengesa nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë”, ka deklaruar Hoxha për “Zërin”.

Hoxha është shprehur optimiste se raporti i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave do të jetë pozitiv dhe se Kosova këtë vit do ta marrë liberalizimin e vizave.