Jahja Lluka për Hilmi Haradinajn: Vdekja ty nuk të tretë, por të fali përjetësinë

Aktuale June 19, 2018 - 10:36
Lexoni më shumë detaje

Këshilltari politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka, pas vdekjes së babit të kreut të ekzekutivit, Hilmi Haradinaj, në një shkrim autorial të tij, ka thënë për ndjerin se vdekja nuk e tretë, por i fali përjetësinë, shkruan “Zeri.info”.

Lluka në këtë shkrim autorial ka shkruar se “tiparet e tua të një shqiptari të madh të karakterizuan, në heshtjen tënde ishte mesazhi që ne si shqiptarë t'i mbrojmë vlerat tona dhe mos ta nëpërkëmbim sakrificën tonë e cila u vulos me lot, plagë e gjak”.

Lluka po ashtu ka thënë se historia më e re e Kosovës dhe e kombit shqiptarë është mbështjellë me lavdinë e familjes Haradinaj.

Shkrimi i tij i plotë:

Hilmi Haradinaj ty vdekja nuk të tretë por të fal përjetësinë

Sot të përcollëm në botën e amshimit, por vepra jote e madhe do jetojë sa të këtë frymë shqiptari.

Nga pragu i shtëpisë sate u rritën trima e dolën heronj, të cilët ti si baba i frymëzove me urti e atdhedashuri, e atëherë kur kohërat e zeza na ranë mbi krye, vepra jote e madhe bëni dritë.

Bota e kuptoi që kjo tokë kishte heronj, ata i kishin lexuar në libra për Herkulin, Akilin por ne kishim vërtetë Luanin dhe Shkelzenin, ti si baba u mërzite por si shqiptar nuk u përule asnjëherë qëndrove stoik, duke i dhënë forcë dhe shpresë një kombi që historia e kishte vra dhe therë barbarisht.

Por ishim me fat se në oda na u rritën bijtë dhe bijat, aty mësuan besën, aty mësuan kodet aty e kuptuan se çdo të thotë të frymosh shqip. Hilmi fati yt i madh ishte se linde dhe rrite trima, frymëzim për brezat e që do kalojnë kohët e do vijnë të tjerë pas por vepra juaj u la me gjak për ta shënjua përjetësinë që mposhtë kohët dhe vet vdekjen.

Çdo shqiptarë u përkul sot para varrit tënd me respektin dhe nderin më të madh.

Aty kishin ardhur vëllezër e motra nga të gjitha trojet ku flitet shqipja, aty u bashkuan shqipoja nga gjithë kontinentet. Historia më e re e Kosovës dhe kombit shqiptarë u mbështjellë me Lavdinë e familjes Haradinaj.

Vepra jote e madhe do shndërrim mbi epoka. Vdekja ty nuk të tretë, por të fali përjetësinë.

Kombi ynë ka lind njerëz gjigandë burra e gra të pushkës e të penës, të urtisë dhe guximit.

Tiparet e tua të një shqiptari të madh të karakterizuan, në heshtjen tënde ishte mesazhi që ne si shqiptarë t'i mbrojmë vlerat tona dhe mos ta nëpërkëmbim sakrificën tonë e cila u vulos me lot, plagë e gjak.

Në përjetësi u ndrit emri yt ashtu siç e ndritët shqiptarinë, ju dhe bijtë e pragut tënd.